Venezuela i dorëzon shkollat e FETO-s fondacionit turk Maarif

Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) bëri të ditur se është nënshkruar një marrëveshje midis ministrit venezuelian të arsimit, të të dërguarit turk në Caracas dhe një ekzekutivi nga fondacioni

Venezuela i ka dorëzuar fondacionit turk dy shkolla të lidhura me Organizatën Terroriste Fetullah (FETO), grupi terrorist që qëndron pas tentativës për grusht shtet të vitit 2016 në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) bëri të ditur se është nënshkruar një marrëveshje midis ministrit të Arsimit të Venezuelës, të të dërguarit turk në Caracas dhe një ekzekutivi nga fondacioni.

Duke e përshkruar marrëveshjen si “një arritje të madhe” të të dy vendeve, ambasadori Şevki Mütevellioğlu tha se Maarif shërbeu si një shembull për Venezuelën dhe pjesën tjetër të Amerikës Latine me edukimin “të saktë dhe me cilësi të lartë”.

Duke falënderuar qeverinë e Venezuelës për mbështetjen e saj në dorëzimin e shkollave, Nedim Kaya, një ekzekutiv nga fondacioni, tha se Fondacioni Maarif ka mbi 170 shkolla në 32 vende të botës.

“Ashtu si në të gjitha vendet e tjera, shkollat tona në Venezuelë do të operojnë me parimin e cilësisë në edukim”, shtoi Kaya.

Turqia themeloi Fondacionin Maarif në vitin 2016 për të marrë përsipër administrimin e shkollave të lidhura me FETO-n jashtë vendit. Fondacioni po ashtu themelon shkolla dhe qendra edukimi jashtë vendit.

Organizata Terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e mposhtur më 15 korrik të vitit 2016, i cili la të martirizuar 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht të ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit.