Vendoset data e “korrigjimit të kufijve”

Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, njoftoi datën e takimit të radhës mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuar nga ajo vetë.

Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, njoftoi datën e takimit të radhës mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuar nga ajo vetë.

Përballja që vjen në vazhdën e diskutimeve të zjarrta mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve apo të ashtëquajturit “korrigjim i kufijve”, do të mbahet në 7 shtator. Takimi pritet të shënojë një hap të ri përpara drejt kërkimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Vuçiç tashmë e ka shpallur hapur synimin për ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Beogradit që të ketë një ndarje tokësore të saj. Prishtina e hedh poshtë me forcë një ide të tillë, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e Presidentit të saj Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit”, që, sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën,raporton Top Channel.

Vetëm një ditë më parë, këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tregoi publikisht se cili është qëndrimi i Uashingtonit në këtë çështje delikate: nëse palët merren vesh, ne nuk do të qëndrojmë në rrugën e tyre, tha ai, ndërsa shprehu bindjen se këtë nuk do ta kundërshtonte as Bashkimi Europian.

Ndryshimit të kufijve i është kundërvënë sakaq hapur kancelarja gjermane Angela Merkel dhe një qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Britania e Madhe.