Ushtria e Kosovës pajiset me dronë Bayraktar

Ushtria e Kosovës është pajisur me dronët Bayraktar, për të cilët muaj më parë Ministria e Mbrojtjes kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në shtetin e Turqisë.

Sipas mediave të Kosovës, dronët kanë arritur gjatë ditëve të kaluara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për këtë kishte edhe prani të shtuar të Forcës së Sigurisë në zonën VIP të Aeroportit.

Ministria e Mbrojtjes  theksoi se FSK është në fazën e dytë të implementimit të Planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe me prioritet ka ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, këtu duke përfshirë edhe investimin në pajisjet më moderne ushtarake.

“Për këtë është duke u punuar pandërprerë, ngase synimi ynë është avancimi i ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Presidentja Vjosa Osmani vitin e kaluar vizitoi  fabrikën e dronëve “Bayrakar”.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayaktar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Osmani në atë kohë.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vitit të kaluar realizoi një vizitë në Turqi.

Dronët inteligjentë janë sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore.

Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.