Universitetet lëshojnë diploma në kundërshtim me ligjin

Universitet nuk mund të lëshojnë diploma nëse nuk kanë kryer më parë akreditimin institucional dhe atë të programeve të studimit. Universitetet publike kanë kryer vetëm një akreditim, por pavarësisht kësaj, në kundërshtim me ligjin ato vijojnë të japin diploma që nuk mund të njihen brenda dhe jashtë vendit.

Ligji i arsimit të lartë nuk i lejon universitet të lëshojnë diploma pa kryer më parë akreditimin institucional dhe atë të programeve të studimit. Në nenin 106 thuhet se certifikim i cilësisë duhet të kryhet përpara dhënies së diplomave të para nga një institucion i arsimit të lartë.

Deri më tani universitetet publike kanë kryer vetëm akreditimin institucional që ka të bëjë me certifikimin e cilësisë së veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë, gjithmonë në përputhje me Kodin e Cilësisë.

Sipas Agjencisë së Sigurimit të cilësisë së arsimin e lartë, akreditimi i programeve të studimit është kryer vetëm në universitetet private, janë afro 240 programe që kanë certifikuar cilësinë.

Vitin e kaluar ish-Minsitrja e Arsimit, Lindita Nikolla njoftoi se ky proces do të fillonte edhe në universitetet publike, por rezulton se deri tani ai ka nisur vetëm në Universitetin e Sporteve.

Pavarësisht kësaj, institucionet e arsimit të lartë po vijojnë me dhënien e diplomave edhe pse referuar ligjit ato nuk janë të vlefshme dhe nuk mund të njihen nga shteti shqiptar.

Po ashtu, këto diploma nuk mund të  pranohen as nga universitetet e huaja, çka i penalizon të rinjtë shqiptar të studiojnë apo të punësohen ne tregun e huaj.

Më të favorizuarit janë studentët e universiteteve private, pasi këto institucione të arsimit të lartë kanë kryer të dyja akreditimet si atë institucional dhe atë të programeve të studimit.