U botua libri, “Berati – Pasuria ndërtimore e kulturore e trashëguar në shekuj”

Koha, lëvizja, pështjellimi njerëzor dhe intelektual, e kanë sjellë në nivelin e sfidës së njëmendtë ruajtjen e trashëgimisë kolektive. Gjuha e nënës është diçka e mbartur vetvetiu ngado ku shkohet, pa pyetur për largësi, e ruajtur qoftë dhe në pak fjalë deri në frymën e fundit. Ndryshe themelit të njeriut global, të endur në një pistë akulli, në një rrëshqitje të gjallë dhe të gjatë në gjetjen e mirëqenies materiale. Formimi, konstrukti i tij mental dhe ideor, nuk ka të ngjarë të jetë i qëndrueshëm pa një bazament të fortë e rrënjë të thella.

Mjedisi rrethues, familjar brenda shtëpisë, shoqëror jashtë saj, kanë rol përcaktues në mbrujtjen e individit. Dija e përthithur gjatë rritjes prodhon ekuilibër ose çekuilibër, në varësi të cilësisë transmetuese dhe përmbajtësore. Informacioni i shpërndarë me bollëk të panevojshëm, me shpejtësi të rrufeshme dhe me besueshmëri tepër të dyshimtë, godet aftësinë përzgjedhëse dhe ushqen shtrembërime të rrezikshme në botëkuptimin e përgjithshëm. Fjala e duhur, e thënë dhe e shkruar nga njerëz të duhur, e matur dhe e vërtetë, përcjell siguri, qetësi dhe këndvështrim të drejtë.

Ndërtimi i së sotmes dhe i së ardhmes nuk mund të bëhet pa njohjen e së shkuarës; pa parë se nga vijmë nuk mund të vendosim se ku duhet të shkojmë. Erërave shkretuese u duhet dhënë përgjigje, për të mos i lejuar të fshijnë gjithçka e të na lënë sot pa histori e nesër pa njerëz. Një njohje e tillë është ajo e qyteteve tona, e vendbanimeve të hershme, e perceptimit të organizimit të jetës nëpërmjet vlerësimit të fakteve mbi trashëgiminë e lënë kulturore.

Përpjekja intelektuale është gjithnjë e mirëpritur, aq më tepër një veprimtari studimore dhe kataloguese, e denjë për të na dhënë njohuri të plota mbi një pasuri shekullore. Patetizmin e përligj fisnikëria e idesë, dhe hapi i parë i projektit është hedhur.

Ideja është një plan afatgjatë, një projekt i cili do të kërkojë kohë dhe njerëz. Fondacioni ALSAR do ta finalizojë projektin në dhjetë vite, dhe librat e botuar gjatë kësaj periudhe do të përmblidhen më pas në një botim disavëllimësh. Ai do të angazhojë specialistë të fushave të ndryshme për realizimin e këtij projekti.

Kjo sipërmarrje studimore, përpiluese, do të marrë në konsideratë ndarjen e sotme administrative, zhvilluar hap pas hapi sipas saj. Veçanti përbën verifikimi në vend në ndërtimet e mbetura, qoftë dhe në gjurmët e tyre.