Turqia është një shtet atraktiv për investitorët afatgjatë me themelet e saj të forta ekonomike, sektorin privat të zhdërvjellët dhe popullsinë e re, tha nënkryetarja e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) të Bankës Botërore, Georgina Baker.
“Ekzistojnë mundësi në disa sektorë në Turqi, në të cilët investojmë për shkak të potencialit afatgjatë të vendit”, tha për Anadolu Agency (AA) Baker, nënkryetare e IFC-së për Amerikën Latine, Karaibet, Evropën dhe Azinë Qendrore.
Baker theksoi se IFC ka investuar për herë të parë në Turqi gati 55 vjet më parë dhe ka funksionuar në terren për 32 vjet.
“Ne jemi një investitor afatgjatë dhe nëse do të doja dëshiroja të përçoja një mesazh tek lexuesit për IFC-në në Turqi, është se ne jemi këtu për të qëndruar”, tha Baker.
Ajo gjithashtu tha se IFC ka mbi 100 punonjës në zyrën e saj në Stamboll, një nga zyrat më të mëdha të korporatës në botë, dhe kjo organizatë synon investime të reja në disa sektorë në Turqi.
“Ka tre fjalë kyçe që mund t’i themi mbi atë që synojmë aktualisht, e ato janë rritja, qëndrueshmëria dhe inkluzioni”, deklaroi ajo.
Baker theksoi se investimet e përgjithshme të IFC-së në Turqi në 55 vitet e fundit kanë arritur në rreth 15 miliardë dollarë.
Turqia është globalisht vendi i dytë ku IFC ka bërë më së shumti investime, në mesin e tregjeve në zhvillim, shtoi ajo.
“Ne kemi investuar një shumë të konsiderueshme prej 1,1 miliard dollarëve në investime afatgjata dhe kemi siguruar rreth 800 milionë dollarë për financimin e tregtisë vitin e kaluar dhe do të vazhdojmë të investojmë”, tha ajo.
Duke folur mbi “programin e ri ekonomik” të Turqisë, Baker theksoi se hapat e qeverisë janë në drejtimin e duhur.
Programi i ri ekonomik, i cili u njoftua në muajin gusht, përfshin një sërë masash dhe hapash për të garantuar një disiplinë fiskale, uljen e deficitit të llogarisë korrente dhe rritjen e produktivitetit dhe kursimeve.
Ajo potencoi se investitorët e huaj janë duke pritur, por ata do të fillojnë aktivitetet e tyre nëse programi, i cili është pranuar pozitivisht në treg, zbatohet dhe menaxhohet mirë.
“(Programi i ri ekonomik) është hap pozitiv në drejtimin e duhur, për faktin se është duke i bashkuar pjesët e ndryshme të ekonomisë në një plan të vetëm”, theksoi Baker.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, Turqia tërhoqi 10,93 miliardë dollarë në investime të huaja direkte neto.
Sektori privat i Turqisë është i qëndrueshëm ndaj lëkundjeve ekonomike. Ai ka dhënë performancë të mirë që nga viti 2000, veçanërisht gjatë krizës ekonomike globale të vitit 2008, nënvizoi ajo.
IFC, e themeluar në vitin 1956, është institucioni më i madh i zhvillimit global i fokusuar në sektorin privat si anëtar i Grupit të Bankës Botërore, ndërsa vepron në mbi 100 vende në mbarë botën.