Turqia bën thirrje për t’ia dedikuar vitin 2021 personelit shëndetësor

"Në mënyrë që të shpërblejmë sakrificat e profesionistëve tanë të kujdesit shëndetësor, ne shprehëm propozimin tonë për ta bërë vitin 2021 'Vitin e Punëtorëve Shëndetësorë' në të gjithë botën", tha ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca

Duke nderuar përpjekjet e punonjësve mjekësor kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të përcaktojnë vitin 2021 si viti ndërkombëtar i profesionistëve të kujdesit shëndetësor, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në mënyrë që të shpërblejmë sakrificat e profesionistëve tanë të kujdesit shëndetësor, ne shprehëm propozimin tonë për ta bërë vitin 2021 ‘Vitin e Punëtorëve Shëndetësorë’ në të gjithë botën përmes kanaleve diplomatike me Organizatën Botërore të Shëndetësisë”, tha Koca në takimin e Bordit Shekncor të Këshillit Turk.

Duke theksuar statistikat në rritje të koronavirusit në të gjithë botën, Koca tha se ngritje të tilla kanë qenë nën kontroll në Turqi që nga shpërthimi i pandemisë.

Në përgjithësi, tha Koca, Turqia ka qenë e suksesshme përballë pandemisë me infrastrukturën e saj të fuqishme shëndetësore dhe profesionistët e përkushtuar të kujdesit shëndetësor nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Deri më tani, Turqia ka regjistruar 10.099 viktima dhe 320.762 të shëruar nga koronavirusi. Që nga shpërthimi, Turqia ka regjistruar 370.832 raste të konfirmuara me COVID-19.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën janë raportuar mbi 45 milionë raste të koronavirusit, përfshirë mbi 1,18 milionë viktima dhe mbi 33 milionë të shëruar.

SHBA, India dhe Brazili aktualisht janë vendet më të prekura nga pandemia.