Një tempull i epokës helenistike që daton prej më shumë se dy mijë vitesh është zbuluar së fundmi gjatë disa gërmimeve arkeologjike në Turqinë qendrore, raporton Anadolu Agency (AA).
Tempulli 2.100 vjeçar u zbulua në lokalitetin arkeologjik Kinik Mound, që ndodhet në fshatin Yeşilyurt të qarkut Altunhisar, në provincën Niğde.
Në lokalitetin në fjalë, që nga viti 2011 ka qenë i angazhuar në punime një ekip italian dhe një tjetër turk.
Profesori Lorenzo D’Alfonso, një akademik nga Universiteti i New Yorkut, tha në cilësi të kreut të ekipit për gërmime se tempulli i zbuluar daton nga koha helenistike.
“Kemi vazhduar me gërmimet mu në vendin ku është zbuluar tempulli, ku dhe zbuluam tempullin tjetër i cili daton nga periudha helenistike, 2.100 vjet më parë”, tha për AA profesori D’Alfonso.
Sipas tij, Kinik Mound me gjasë nuk ka qenë i banuar deri në vitin e 30-të para erës sonë.