Trump kërkoi të blinte një kompani gjermane për vaksinën e koronavirusit

"Gjermania nuk është në shitje", tha ministri i Ekonomisë Peter Altmaier në Twitter, duke shtuar se qeveria ka qenë në kontakt me kompaninë me qendër në Tuebingen CureVac lidhur me këtë ofertë

Politikanët gjermanë sot kritikuan presidentin e SHBA-ve Donald Trump për përpjekjen e tij për të blerë një kompani farmaceutike gjermane e cila ka punuar mbi një vaksinë të mundshme për koronavirusin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjermania nuk është në shitje”, tha ministri i Ekonomisë Peter Altmaier në Twitter, duke shtuar se qeveria ka qenë në kontakt me kompaninë me qendër në Tuebingen CureVac lidhur me këtë ofertë.

E përjavshmja “Welt am Sonntag” më herët raportoi se Trump i ofroi 1 miliard dollarë CureVac, por kërkoi që kompania të zhvillonte vaksinën e koronavirusit “vetëm për Shtetet e Bashkuara”.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas kritikoi ashpër presidentin e SHBA-ve për tentimin për të përvetësuar “të drejta ekskluzive” për një vaksinë të mundshme, dhe bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar.

“Studiuesit gjermanë janë liderë në zhvillimin e vaksinave, ata janë duke marrë pjesë në bashkëpunimin në të gjithë botën”, tha ai në Twitter.

“Nuk mund t’i lejojmë të tjerët të blejnë gjetjet e tyre të hulumtimit ekskluzivisht për veten e tyre. Mund të mposhtim COVID-19 vetëm nëse veprojmë së bashku, dhe jo kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai.

Gjermania është vendi i tretë i prekur nga pandemia e koronavirusit në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës.

Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend të hënën në mëngjes është rritur në 6.241, nga 5.813 të dielën.

Sipas deklaratave të autoriteteve shëndetësore në shtetet federale, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani arriti në 13.