Tjetër përplasje BE-Google, Brukseli akuzon kompaninë për abuzim

Brukseli i ka dhënë një goditje të re gjigantit të internetit Google. Komisioni Evropian ka akuzuar kompaninë mëmë të motorit të kërkimit, Alfabet, për abuzim me pozicionin dominues në fushën e reklamave të sektorit të teknologjisë.

“Në këtë fazë të hetimit ne besojmë se sjellja e Google mund të kthehet në një abuzim me pozicionin dominues të saj. Nëse provohet, kjo sjellje konsiderohet ilegale në bazë të rregullave tona. Nëse arrijmë në përfundimin se këto praktika janë të paligjshme, atëherë na duhet të veprojmë për t’i dhënë fund”, tha Margrethe Vestager, komisionere e BE-së për Konkurrencën.

Bëhet fjalë për akuzën e katërt që BE ngre ndaj Google dhe që mund të rezultojë në një gjobë të barabartë me 10 për qind të të ardhurave vjetore të kompanisë në rang global.

Brukseli vlerëson megjithatë se një ndryshim në sjelljen e Google nuk do ta zgjidhte problemin, ndaj ka sugjeruar shitjen e një pjese të bizneseve të saj si zgjidhje.