Tit Vullkani në autobuzin prej kauçuku

Nga Redi Shehu

Kemi hyrë zyrtarisht në fushatën e zgjedhjeve vendore të 2023-shit, pas pothuaj dy vitesh fushatë politike mbi ngjarjet e Partisë Demokratike dhe skandaleve të maxhorancës. Fushatë mbi fushatë të cilat për shkak të presionit të madh politik, zhvlerësojnë njëra -tjerën. Në fund fare truri i zgjedhësit shqiptar, nga mbingarkesa e ngjarjeve dhe debateve, është në gjendje të rrafshët politikisht. Për këtë arsye ai nuk i drejtohet racios, arsyes politike dhe qytetare, por i kthehet instiktit të votës i cili e tërheq drejt origjinës partiake, krahinore dhe fisnore. Fushata jonë elektorale dallon në raport me fushatat e vendeve të tjera, për faktin se kjo e jona nuk përbën të veçantën e mjedisit tonë politik, nuk është veçori dalluese në raport me mandatin qeverisës, nuk përbën kulmin e kumtit politik apo organizimit të ideve, është thjesht një zgjatim i artikulimit të rëndomtë të liderëvë dhe formacioneve të tyre.

Duket sikur jemi zyrtarisht në fushatë zgjedhore, por në fakt jemi në ditë normale politike sepse i njëjti artikulim, e njëjta përmbajtje dhe formë përmbyt ekranet dhe smartfonët tonë. Liderët në fushatë nuk janë tjetër veçse pasqyrim i anormalitetit tonë për të cilin anormalitet nuk ka kontestime asnjëri. Ndryshimi në fushatë është sy ky anormalitet arrin nivelin e spektaklit, por jo të një spektakli për t’u admiruar, por të një spektakli vulgariteti që të bën të qash kur duhet të qeshësh dhe të qeshësh kur duhet të qash. Nga Tit Vullkani e deri tek autobuzi lodër me katër rrota, inskenimi i fushtatës tenton të marrë formën e një vepre arti ku personazhet kryesore janë vetëm në nivelin e të dukshmes dhe regjizura politike qëndron atje e fshehur mbrapa të njëjtit qëllim politik. Sado që mëngët e përveshura të Erion Velisë apo buzëqeshja naive e Belind Këlliçit, tentojnë të na shkëpusin nga realiteti ynë i hidhur, përsëri regjizorët e vënies në skenë të fushatës elektorale jane po ata, të pathyeshmit, të pamposhturit Berisha dhe Rama.

Fushatat tona, ashtu siç edhe ndodh në vende të tjera, e kanë të pashmangshme ideografinë, e cila është një manifestim retorik i një ideologjie të caktuar e shfaqur në formë grafike. Prandaj në fushata politike, grafika, imazhi janë forma të shprehjes së ideoligjive të caktuara në formë përforcuese dhe simbolike, që do të thotë se në vetvete ata (ideologjia dhe grafika) janë në harmoni me njëra-tjetërn dhe ndërveprojne në mënyrë të ndërsjelltë. Ndryshe ndodh me ideografinë e fushatës tek ne. Duke qenë se partitë tona janë parti postideologjike, pragmatike, ku Partia Socialiste është parti pa ideologji me ngjyrë lejla dhe Foltorja është një ndër shumë partitë e majta në Shqipëri por që ka ngjyrë blu, marrëdhia mes ideologjisë dhe grafikës tek ne nuk është një marrëdhënie harmonike, por kontradiktore. Ideografia e fushatave tona përplas deformimin e një ideologjie të caktuar politike me grafikë dhe imazh që i bien ndesh njëra tjetrës.

“Titvullkanizimi” i fushatës socialiste përdoret si imazh artistik jo për të përforcuar ndonjë ideologji, por për të tretur dhe zhdukur nga ndërgjegja elektorale e votuesve çdo grimcë llogaridhënieje. Autobuzi prej kauçuku që sillet në çdo studio nga kandidati i Foltores, nuk është grafika apo imazhi i një ideologjie të djathtë, ai është simboli i një reforme majtiste, populiste të kontrollit të strukturave të shtetit ndaj aktiviteteve private me efekte hipnotizuese elektorale. Prandaj, ideografia e fushatës tonë, në vend që të ndihmojë, në fakt ajo thellon shpërbërjen e të kuptuarit tonë për realitetin politik. Me një elektorat të lodhur duke parë përherë të njëjtën gjë në forma të ndryshme, dhe me kandidatë të forcave kryesore politike, përpjekja përblidhet në tërheqjen e vëmëndjes së zgjedhësve duke u shfaqur si të pavarur brënda varësisë së tyre politike.

Tentojnë të shfaqin një koracë të qelqtë pavarësie ndaj liderirt, për të ndërtuar përceptimin e ndryshimit, por siç rëndom ndodh me kopjet në raport me origjinalin, pavarësinë politike dinë ta shfaqin vetëm ata kandidatë që janë vërtet të pavarur në mendim dhe veprim politik. Atëhere, na vjen në ndihmë grafika dhe imazhi për të influencuar zgjedhësit mbi karakteret e kandidatëve. Forma e vetme me të cilën ajo (grafika) do të jepte efektin e rremë të pavarësisë është kur ajo sundon mbi ideologjinë partiake dhe aspak në harmoni me të. Prandaj tallavaja sundon ndaj thelbit dhe mesazhit ideologjik dhe autobuzi prej kauçuku apo gishtat e mesit përjetë sundojnë mbi identitetin e një force politike. Në këtë pikë bashkohen të dyja krahët e politikës, në mënyrën se si ata përdorin grafikën dhe imazhin për të kamufluar mungesën e përmbajtjes dhe produkteve politike.

Për këtë arsye, fushata e zgjedhjeve vendore nuk përbën të veçantën e mjedisit tonë politik, nuk është veçori dalluese, nuk përbën kulmin e kumtit politik apo organizimt të ideve, është thjesht një zgjatim i artikulimit të rëndomtë politik të liderëve dhe formacioneve të tyre, ku imazhi grafika dhe spektakli sundojnë mbi thelbin dhe mbi ideologjinë.