Konferenca shkencore me temë “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës Diturija”, ka mbledhur në Tiranë studiues dhe drejtues të institucioneve kulturore nga Shqipëria dhe Kosova, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë konferencës studiuesit kanë trajtuar disa aspekte, si çështjet gjuhësore në revistën “Diturija”, pas Kongresit të Manastirit, roli i saj në historinë e shtypit dhe shoqërisë shqiptare dhe sfidat e botimit të saj, ndërsa pjesë e saj ishte edhe promovimi i botimit anastatik të revistës.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr Persida Asllani, u shpreh në ceremoninë e hapjes se me këtë konferencë “Diturija” rikthehet së bashku me figurën e themeluesit dhe autorit të saj qendror Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo).
“Konferenca shpresoj të hedh dritë mbi vlerat ende të paçmuara të panjohura sa duhet të Diturisë dhe autorit të saj.110 vjetori i Kongresit të Manastirit, si ngjarje më shpresëdhënëse për botën kulturore shqiptare na shpie natyrshëm drejt intelektualit të rrallë që anëtarët e Kongresit e patën zgjedhur dhe kryetarin e tyre në nëntor të vitit 1908”, tha Asllani.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën përshëndetëse në aktivitet tha se Lumo Skëndo dhe “Diturija” u bënë të pandarë, teksa u plotësuan ndërsjelltas.
“Emblemë e horizontit të sjellësit në jetë të saj, që parapëlqeu t’i nënshkruante punët e tij si Lumo Skëndo, revista ‘Diturija’ pati një jetë të gjatë, përgjatë dy dekadave, nga 1909-ta në 1929-n, botuar me ndërprerje, për një sërë arsyesh të kuptueshme, në Selanik, Bukuresht dhe Tiranë. Ajo i rezistoi kohës, aq sa sot është njësoj e dëshirueshme për t’u lexuar, siç i rezistoi ideatori i saj, i parë ende lakmueshëm për penën e tij frymëzuese”, tha Gurra.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, theksoi se promovimi i revistës “Diturija” dhe po ashtu një konferencë shkencore për 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit do të organizohet edhe në Prishtinë në fillim të muajt nëntor. Sipas tij, kjo formë e organizimit shkencor do të nxisë partneritete ambicioze midis bibliotekave dhe studiuesve.
Konferenca është organizuar në kuadër të kremtimeve për 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit nga Fondacioni ALSAR, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, studiues, historianë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Shqipërisë.