Thaçi refuzon pjesëmarrjen në mbledhjen e ardhshme për mini-Shengenin ballkanik

“Unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal”, ka thënë Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova nuk do të marrë pjesë në takimin e tretë të shteteve të rajonit për idenë e mini-Shengenit ballkanik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Paralajmërimi i Thaçit erdhi përmes një komunikate nga Presidenca e Kosovës një ditë pasi Zyra e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme për mini-Shengenin është ftuar presidenti i vendit dhe jo kryeministri për shkak të mosformimit ende të një qeverie të re në Kosovë.

Thaçi në këtë njoftim ka falënderuar presidentin Rama, duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen e Shqipërisë, mirëpo ka thënë se “Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet”.

“Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë. Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta”, ka deklaruar Thaçi, thuhet në komunikatë.

Thaçi ka theksuar se Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës dhe “kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën”.

“Për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Thaçi në fund shtuar se rrethanat e tilla e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e parë për idenë e mini-Shengenit në Novi Sad dhe takimin e dytë në Ohër.

“Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal”, ka thënë Thaçi.

Zyra e Kryeministrit shqiptar njoftoi dje se ka ftuar presidentin pasi kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se nuk ka marrë ftesë në mbledhjen që është paracaktuar të mbahet në Durrës më 21 dhjetor për diskutimin e idesë së mini-Shengenit ballkanik.

Deri më sot, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kanë zhvilluar dy takime, një në Novi Sad dhe një në Ohër.

Pas takimit në Ohër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut informoi se baza e deklaratës së përbashkët të miratuar nga shtetet rajonale është bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si kontribut për qytetarët e shteteve të rajonit në realizimin e qëllimit final, anëtarësimin e plotë në BE.