Thaçi i përgjigjet Kandiqit: Liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët

"E ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurtë vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë tonë", thekson Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka siguruar themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq se do të angazhohet për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thaçi këtë e ka thënë nëpërmjet një postimi nga rrjeti social, ku i është përgjigjur kërkesës së humanistes Natasha Kandiq, e cila në një letër me shkrim i ka bërë thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që t’u mundësojë serbëve nga Gjakova që më 28 gusht të vizitojnë kishën ortodokse për një festë fetare dhe që të mos u nënshtrohen, siç ka thënë ajo, poshtërimeve sikurse vitin e kaluar.

“Edhe në ditët më të vështira, qytetarët tanë kanë ruajtur objektet fetare, monumentet historike dhe trashëgiminë ortodokse të Kosovës. Ne vazhdojmë ta njohim kontributin e zonjës Kandiq dhe i shprehim mirënjohje të thellë për aktivitetin e saj para, gjatë dhe pas luftës. Sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Ai thotë se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. “Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë. E ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurtë vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë tonë”, thekson Thaçi.