Tetovë, hapet Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF ODA

Nga gjithsej 3.843 filma që kanë aplikuar nga e gjithë bota, në këtë edicion të festivalit do të shfaqen 83 filma të shkurtër, të ndarë në tre kategori në garim, dokumentar i shkurtër, animacion i shkurtër dhe filmat e studentëve

Në Qendrën për Kulturë në Tetovë është hapur edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit TIFF ODA, i cili do të zgjasë deri të shtunën dhe çdo ditë do të shfaqen filma të metrazhit të shkurtër dhe ngjarje të tjera artistike-kutlurore, raporton Anadolu Agency (AA).

Brenda këtij edicioni do të shfaqen filma nga vende dhe artistë të ndryshëm. Siç u njotua në hapjen e festivalit TIFF ODA, nga gjithsej 3.843 filma që kanë aplikuar nga e gjithë bota, në këtë edicion do të shfaqen 83 filma të shkurtër, të ndarë në tre kategori në garim, dokumentar i shkurtër, animacion i shkurtër dhe filmat e studentëve.

Festivali, i cili këtë vit organizohet për herë të shtatë, do nisi me filmin dokumentar kushtuar kampionit olimpik në mundje Shaban Tërstena, ndërsa do të përfundojë të shtunën me një ekspozitë të fotografive, ku në ceremoninë e përmbylljes do të marrin pjesë edhe ikonat e artit skenik shqiptar Tinka Kurti, Margarita Xhepa dhe Reshat Arbana.

Këtë edicion do të shfaqen edhe filmat evropian me karakter jo-garues “Cine European Panorama”, ku ndër filma të shumtë evropianë do të shfaqen edhe filmat me arritje në majat e kinematografisë botërore të regjisorit dhe skenaritstit iranian, Asghar Faradi, me dy filmat e tij të shpërblyer nga Akademia Oscar, “The Salesman” dhe “The Seperation”.

Qëllimi i këtij festivali është qasja e të gjithë artistëve të filmave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore. Organizimi i festivalit mbështetet nga komuna e Tetovës, Qendra për Kulturë në Tetovë, Universiteti i Tetovës, Agjencia e Filmit në Maqedoni, si dhe Myftinia e Tetovës.