Të qenurit besimtar kërkon inteligjencë.

A je inteligjent për të qenë një besimtar?

Nga Evans Drishti

Ti…

Thua se je një besimtar, sepse

Falesh,

Agjëron

Lutesh

Jep zeqat

Lexon Kur’an

Kryen adhurimin e Haxhit…

Secili prej këtyre obligimeve ka specifikat e veta, të bazuara në një “arsyetim” për të kuptuar peshën dhe domethënien e kryerjes së këtij adhurimi.

Falja e një namazi kërkon një mëndje të shëndetshme për të kuptuar funksionin që ke “ti” si qenie njerëzore në çastin e lidhjes në kryerjen e këtij adhurimi, kërkon të kuptosh drejtë kuptimet e ajeteve Kur’anore që “thua” gjatë këtij namazi, kërkon të mendosh për një “kthjellim” dhe “pastrim” mendor dhe shpirtëror, kërkon një “rinovim” intelektual…

Agjërimi kërkon një mendje të shëndoshë për të kuptuar se “marifeti” s’është tek “të ngelurit pa ngrënë” nga Syfyri deri në Yftar, përkundrazi të “kthjellohesh”:

Për ta parë veten me syrin e një kritiku që përherë kërkon “reflektim”, për ta parë tjetrin me një sy dashamirës dhe impresionues se patjetër ke diçka që mund të marrësh, që mund të përftosh, që mund të bashkëpunosh në shërbim të qëllimit njerëzor…

Për të dëgjuar me shumë kujdes dhe vëmëndje me qëllimin thelbësor të të kuptuarit dhe arsyetuarit, që prindi të dëgjojë fëminë dhe e anasjellta, që vëllezërit dhe motrat të dëgjojnë njëri-tjetrin, që nxënësi të dëgjojë mësuesin dhe anasjelltas, që mjeku të dëgjojë dhe të kuptojë pacientin dhe e anasjellta, që drejtuesi të dëgjojë dhe të logjikojë punëmarrësin dhe e anasjellta…

Për të folur me finesë, me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, jo me ashpërsi dhe brutalitet, por duke i përzgjedhur fjalët dhe termat me shumë kujdes që të mos lëndosh tjetrin i çfarëdo moshe qoftë ai/ajo, për rrjedhojë për të qenë një “komunikues i mirë” kërkon të zotërosh një bagazh të mirëfilltë fjalësh dhe shprehjesh të gjuhës së bukur amtare e më gjerë…

Për të vepruar në mënyrë sa më njerëzore, larg dhunës dhe ashpërsisë fizike, pasi duart dhe këmbët s’janë bërë “për të gjuajtur” tjetrin, por për të kryer funksione të qenësishme në përditshmërinë tënde… Prandaj edhe në këtë rast agjerimi të forcon që të arsyetosh se “dhuna” duhet shmangur me patjetër dhe pa asnjë kusht…

Ti lutesh në heshtje, që puna të të shkojë mbarë, që të marrësh një notë të mirë në test, që operacioni të shkojë me sukses, që ndryshimet tek vetja dhe përreth të vlejnë dhe të shërbejnë për diçka pozitive… Edhe në këtë rast lutja kërkon arsyetim dhe logjikë të shëndetshme që mos të kalosh në mallkim, e më pas që të jetë sa më shpirtërore, ku veten ta ndjesh sa më qetë dhe të lehtësuar…

Zoti të ka dhënë një mundësi ekonomike që të japësh nga vetja jote për tjetrin që s’ka të ardhura apo që është në gjëndje të vështirë… Të japësh për nevojtarin jo vetëm thjesht “të holla monetare” “sa për të kryer adetin”, përkundrazi të kuptosh dhe të logjikosh se për tjetrin ka shumë domethënie dhe rëndësi jetike: edhe një pjatë supë, një kafshatë bukë, një gatim i ditës, një rrobë në gjendje të mirë, një send dhe orendi që shërben dhe funksionon… Të kuptosh se një obligim i tillë shërben për një rimëkëmbje të nevojshme ekonomike dhe sociale, nisur edhe nga parimi se “Dora që jep është më me vlerë se ajo që merr”…

“Leximi i Kur’anit” kërkon një disponibilitet të fortë që bazohet padyshim në një logjikë dhe mendje të shëndetshme, pasi përmbajtja e tij është universale dhe gjithpërfshirëse, për rrjedhojë s’mund të mjaftohesh thjesht dhe vetëm në njohjen e “Gjuhës Arabe”, por është kusht të “kthjellohesh” në të gjitha fushat e jetës: të historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë, matematikës, fizikës, bilogjisë, kimisë, astronomisë… pasi sikurse je i vetëdijshëm aty ka mesazhe jetike për të gjithë ata që arsyetojnë dhe logjikojnë…

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe “kryerja e Haxhit” si një shtyllë kurrizore, ku “besimtari” shkon në origjinën e tij për të kuptuar, gjykuar dhe arsyetuar thelbin e kësaj ekzistence individuale dhe globale…

Besimi kërkon:

  • Të lexosh dhe të kuptosh mirë lëndët shkollore
  • Të ushtrohesh në praktikat lëndore mbi bazën e një logjike dhe arsyetimi të shëndetshëm
  • Të hulumtosh dhe të kërkosh pa ndjerë lodhje dhe mërzi të shkuarën personale, familjare, farefisnore në mënyrë që të jesh ti “i pari” të ndreqësh “gabimet logjikore”
  • Të këmbëngulësh në zhvillimin tënd personal dhe intelektual duke mos u mjaftuar vetëm me atë që të ofrohet, përkundrazi të vihesh në rolin dhe funksionin e një “droni” nëpërmjet të cilit veten, tjetrin dhe ambientin ta shohësh me një “sy rrezatues”…
  • Të udhëtosh sa më shumë për të parë ambiente të ndryshme që të bindesh se jeta s’kufizohet vetëm nga ajo që të rrethon ty, por që ka diçka tjetër “të ndryshme” përtej saj, që kërkon patjetër edhe “ndihmesën dhe idetë e tua”…
  • Të forcosh bindjen tënde, vullnetin, dëshirën, ambicien, egon … Të aspirosh që të plotësohesh dita – ditës, javë për javë, muaj për muaj, vit pas viti.. që të rritesh edhe ti me veten tënde, jo thjesht për nga ana fizike, por për nga intelektualiteti…
  • Të kuptosh se nuk mjafton të kryesh një cikël shkollor të ciklit të ulët, të mesëm të ulët, të mesëm të lartë, një universitet…
  • Të kuptosh se vatra e dijes është aq gjithpërfshirëse sa nuk mjafton të bëhesh vetëm një mësimdhënës, vetëm një drejtues, vetëm një inxhinier, vetëm një arkitekt, vetëm një mjek, vetëm një infermier, vetëm një polic, vetëm një administrator, vetëm një gazetar…  
  • Të identifikohesh si një individ që ke aftësi dhe dhunti të shumta që presin “një zgjerim” dhe “një zhvillim” të menjëhershëm për t’u vënë në shërbim të komunitetit…
  • Të mendosh se të parët e tu, megjithë kushtet dhe rrethanat tejet të vështira jetësore, nuk reshtën së kërkuari dhe hulumturi dhe për rrjedhojë të plotësuari në të gjitha fushat e jetës, pra duke u bërë njëherazi një matematikan i mirë, një mjek i mirë, një astronaut i mirë, një arkitekt i mirë, një psikolog i mirë…
  • Të gjykosh se “ti” përbën njërën hallkë të “zinxhirit të jetës” që plotësohet pareshtur duke përcjellë jo vetëm vlerat njerëzore, por edhe ato materiale dhe intelektuale…
  • Të mendosh mirë se “ti” duhet të jesh një individ i mirëinformuar dhe i mirëplotësuar në mënyrë që të nesërmen fëmitë e tu të kenë përpara “modelin” e mrekullueshëm të një prindi me intelekt të fortë, ku ata si fëmijë të kenë ku të gjejnë mbështetje dhe përkrahje si në aspektin ideor ashtu edhe në atë të një figure me peshë në shoqërinë e kohës…
  • Të forcosh dijen dhe kulturën tënde për të qenë “ti” ai që guxon, që reflekton, që arsyeton, që mendon, që logjikon, që tregohet një dëgjues i rregullt dhe i kujdesshëm, një folës shembull i gjuhës mëmë dhe i gjuhëve të tjera, që aspiron, që hulumton, që ideon, që thellohet në atë që lexon dhe sheh, që vepron … dhe për rrjedhojë ai që ndryshon dhe s’pajtohet me “monotoninë”…

Bësimi është identitet! Besimi është vetë jeta!…

A je inteligjent për të qenë një besimtar i vërtetë?!…

Mirë se erdhe në këtë jetë!…