Besimtarët ortodoksë të Maqedonisë së Veriut sot shënojnë të “Premten e Madhe”, me çka fillon kremtimi i festave të Pashkëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo ditë e rëndësishme për besimtarët ortodoksë kremtohet me liturgji fetare dhe lexim të evangjelisë, me çrast liturgji solemne u mbajtë edhe në katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup nga kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, kryepeshkopi Stefan.
E “Premtja e Madhe” ndryshe quhet edhe Kryqëzim, sepse në këtë ditë, sipas besimit ortodoks, është kryqëzuar Jezu Krishti dhe nga këto arsye llogaritet dita më e vështirë.
Sipas mësimeve ortodokse, Krishti vdiq në kryq në “orën e gjashtë” të ditës, kur dielli është errësuar, të vdekurit janë zgjuar nga varri dhe të gjitha kambanat janë plasaritur.
Nga këtu, të “Premten e Madhe” rrahin kambana prej druri, ndërsa kambanat në kisha nuk bien deri të dielën, kur do të deklarohet “gëzimi i ringjalljes së Krishtit”.
E “Premtja e Madhe” dhe Pashkët kryesisht kalohen në gjirin familjar me gatime tradicionale dhe vizitë në kishë.