Tajfuni Trami paralizon jetën në Japoni

Tajfuni shkaktoi lëndimin e 82 personave dhe anulimin e udhëtimeve hekurudhore dhe ajrore

Të paktën 82 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e tajfunit Trami që ka përfshirë Japoninë, ndërkohë që autoritetet kanë pezulluar linjat e transportit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia Meteorologjike e Japnisë theksoi se tajfuni Trami, i cili ka arritur në rajonin Wakayama, ka përparuar drejt pjesëve lindore dhe veriore të vendit, duke paralajmëruar valë të larta, stuhi dhe reshje, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo.

Sipas të dhënave të para, 82 persona në 16 rajone të vendit kanë ngelur të lënduar.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive bëri të ditur se është dhënë urdhri për evakuimin e mbi 3,8 milionë njerëzve në 23 rajone të vendit.

Policia lokale informoi se një grua e moshës rreth 60-vjeçare ka humbur pasi është rrëmbyer nga ujërat në tubacionin e një drenazhi.

Shumë kompani hekurudhore dhe ajrore kanë anuluar qindra udhëtime, gjë që ka dëmtuar mbi 100 mijë pasagjerë.

Po ashtu, autoritetet e Aeroportit Ndërkombëtar Kansai më rajonin Osaka njoftuan mbylljen e përkohshme të aeroportit, për ta rihapur ditën e nesërme.

Ndërkaq, Universal Studios Japan në Osaka tha se parku tematik është mbyllur si rezultat i tajfunit.

Kujtojmë se 11 persona humbën jetën dhe qindra mbetën të lënduar kur tajfuni Jebi, i cilësuar si më i fuqishmni në 25 vitet e fundit në Japoni, përfshiu vendin më 4 shtator.