Sulmohet me granatë dore dhe kallash policia në veri të Kosovës

Policia e Kosovës në veri të vendit u sulmua mëngjesin e të premtës, bëri me dije Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Përmes një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Sveçla tha se policia është sulmuar me granatë dore dhe kallash.

Policët u sulmuan ndërsa po ndërronin turnet në pikën kufitare.

Sveçla e krahasoi sulmin me një akt terrorist, ndërsa tha se është bërë me qëllim për të frikësuar policët dhe qytetarët.

“Sot rreth 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granat dore dhe kallash AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarët”, tha ai.

Ai njoftoi se grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës.

“Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalik në rrugën nacionale në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm, më qëllim që të pamundësojnë punën e policisë dhe të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të polisicë. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajte me gurë mbi një veturë të policisë. Sulmi i tretë publik, ka ndodhur mbrëmë në afërsi të punktit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale. Është gjuajtur me armë dhe sot sulmi i drejtpërdrejt, ku janë goditur dy vetura të cilat transportin policët në pikat kufitare”, tha ministri.

Nga sulmet nuk ka të lënduar, veç dëme materiale.