“Studentët shqiptarë që kanë studiuar me bursat e shtetit turk kanë një prestigj në tregun vendas”

Shtetasit shqiptarë, kryesisht të rinjtë, që kanë studiuar në Türkiye me bursa të shtetit turk vazhdojnë të kontribuojnë dhe të angazhohen në sektorë të ndryshëm në Shqipëri.

Një prej tyre është edhe Vehap Kola, i cili në vitet 2015-2022 ka kryer studimet e doktoratës pranë Departamentit të Administrimit të Biznesit në Universitetin e Marmarasë, në Istanbul, me bursë të Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Kola, i cili ka kryer ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Financë dhe Kontabilitet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ka një karrierë rreth 10-vjeçare si konsulent i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në disa nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare, si dhe bashkë me studiues të tjerë, ai ka themeluar Institutin e Studimeve Politike “Sami Frashëri”, ku ushtron detyrën e drejtorit të programeve.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Kola i cili aktualisht është pedagog pranë Departamentit të Administrimit të Biznesit në Universitetin e New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, thekson se studentët shqiptarë që kanë studiuar me bursat e YTB-së të ofruara nga shteti turk kanë një prestigj në tregun vendas.

“Pata mundësi që të aplikoj në programin e bursave të qeverisë turke, të YTB-së dhe për fat të mirë u pranova dhe vazhdova atje studimet doktorale. Kur u vendosa në Istanbul aty kuptova që nuk po gjeja dot dallime reale shoqërore, kulturore shumë të dukshme midis shqiptarëve dhe turqve dhe them që në qoftë së nuk do të flisnin turqisht në jetën e tyre unë do të mendoja se isha në çdo qytet të Shqipërisë”, tregon ai.

Kola shton se doktoratura në Türkiye ishte porta e vetme përmes së cilës ai mund të hynte në jetën akademike. “Ajo ka qen përcaktuese patjetër. Vazhdimi i studimeve doktorale më bëri mua një kandidat të pranueshëm për akademinë (jetën akademike) kur para katër vitesh u pranova në Universitetin e New Yorkut. Nëse do ta kisha bërë doktoraturën në Shqipëri është e sigurt që nuk do kisha mësuar metodën e kërkimit shkencor dhe e dyta nuk do kisha mësuar rigorozitetin me të cilin studimet shkencore, studimet disiplinare bëhen në një universitet prestigjioz”, tha ai.

Kola thekson se është ndierë i privilegjuar nga mënyra se si është trajtuar prej institucioneve turke gjatë periudhë së studimeve në Türkiye.

“I jam shumë mirënjohës për këtë YTB-së dhe stafit të universitetit, pedagogëve të mi, udhëheqëses time të temës, të gjithë departamentit, Institutit të Shkencave Sociale në Universitetin e Marmarasë dhe të gjithë atyre njerëzve në YTB dhe kudo në institucionet e rendit ku ne merrnin lejen e qëndrimit, të cilët na e kanë lehtësuar shumë atë përvojë”, tha Kola.

Duke iu referuar sistemit arsimor në Türkiye, Kola shton në fund se “Të gjithë studentët shqiptarë e kuptojnë se çfarë është shkolla e vërtetë e para dhe e dyta të gjithë ata kanë një prestigj kur vijnë punësohen në Shqipëri”.