“Si N’Shtëpinë Tënde” në Prizren, ministrja Shahini: Eliminojmë paragjykimet

“Si N’Shtëpinë Tënde” titullohej ceremonia përmbyllëse e programit të shkëmbimit të nxënësve mes Shqipërisë dhe Kosovës, organizuar në bashkëpunim mes Ministrive përkatëse të Arsimit, MASR dhe MASHT, në qytetin e Prizrenit.

“Si N’Shtëpinë Tënde” titullohej ceremonia përmbyllëse e programit të shkëmbimit të nxënësve mes Shqipërisë dhe Kosovës, organizuar në bashkëpunim mes Ministrive përkatëse të Arsimit, MASR dhe MASHT, në qytetin e Prizrenit.

Përgjatë dy javëve të fundit, përveç programeve mësimore, 120 nxënës nga Shqipëria e Kosova kanë marrë pjesë edhe në aktivitete të ndryshme për shkëmbimin e kulturave midis dy vendeve tona. Nxënësit që kanë marrë pjesë në program kanë jetuar me një familje pritëse.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministrja Besa Shahini, zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Heset Sahiti, nxënës pjesëmarrës në program, prindër, mësues dhe drejtues të ndryshëm.

Ministrja Shahini theksoi se qëllimi i programit është të njohim sa më mirë dhe të duam sa më shumë njëri-tjetrin.

“Paragjykimet nuk do të ndodhin nëse ne e njohim më mirë njëri-tjetrin dhe thellohemi në mënyrën e jetesës së njëri-tjetrit. Jemi dy vende shqipfolëse, kështu që e kemi të domosdoshëm bashkëpunimin. Qëllimi kryesor i këtij programi ishte që të njohim sa më mirë qytetet dhe shkollat e njëri-tjetrit, e në këtë formë të kuptojmë sa më mirë mënyrën sesi jetohet në anën tjetër të kufirit dhe sesi zbatohet kurrikula e re, e cila është e ngjashme në të dyja vendet”, u shpreh Shahini.

Ky program pilot dyjavor planifikohet të thellohet në të ardhmen, ndërkohë që përshtypjet e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe drejtuesve do të jenë shumë të rëndësishme për procesin e politikëbërjes. Programet e shkëmbimit të nxënësve u japin mundësinë të rinjve për të studiuar në një vend dhe mjedis të ndryshëm, si dhe të pajtohen me historinë dhe kulturën e një vendi tjetër, duke njohur miq të rinj dhe duke pasuruar zhvillimin e tyre personal.