Shqipëria shpall vitin letrar të Ali Podrimjes, Margariti: Amaneti i poetit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Biblioteka Kombëtare shpallën këtë të mërkurë vitin e Ali Podrimjes, duke i dhënë emrin e poetit të njohur nga Kosova një kalendari veprimtarish që kthen sytë nga poezia e letërsia shqipe këtej e matanë kufirit.

“E kam pasur edhe mik dhe ka qenë një nga figurat që vlerësoja më shumë në letërsinë shqipe. Është viti i përvjetorit të dyfishtë, ka 80 vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e vdekjes. Një nga përfaqësuesit më të veçantë e më origjinale e më të rëndësishëm të poezisë shqipe në shekullin e 20.”, tha Piro Misha.

“Një maratonë aktivitetesh që do të bëjë bashkë një kulturë të vetme që ndahet në dy anët e kufirit për të folur për vlerat e përbashkëta dhe për poezinë e Ali Podrimjes dhe për atë që ky personazh kompleks i dha poezisë shqipe dhe letërsisë shqipe”, pohoi Alda Bardhyli nga Qendra e Librit.Duke folur për politika mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e nxjerrjes në pah të identiteti kulturo shqiptar, ministrja e Kulturës u ndal edhe në detaje personale.

“Lidhjen time me Kosovën e kam më personale e më të veçantë për shkak të një gjysheje nga Prizreni. Besoj se Ali Podrimja me thirrjen e tij për Kosovën ka lënë një farë amaneti, sepse Kosova është vërtetë e zgjuar.”, tha ministrja Elva Margariti. Aktiviteti për vitin e Ali Prodrimjes, përfshijnë lexime nga krijimtaria e tij në dhjetëra vëllime, konferenca shkencore e ekspozita mes bibliotekave e akademive të të dyja vendeve.