Shqipëria ka numrin më të lartë në rajon të azilkërkuesve gjatë vitit 2021 për në vendet e Bashkimit Europan.
Në përgjigjen e “Eurostat” për emisionin “Mirëmëngjes”, theksohet se 8845 shqiptarë kërkuan azil për herë të parë.
Shifrat rriten kur shtohen edhe ata që kanë aplikuar më herët dhe janë në pritje të një përgjigjeje, por edhe për minorenët e pashoqëruar.
Gjatë vitit 2021, së bashku me aplikimet në pritje janë plot 13.210 shqiptarë që kanë kërkuar azil në Europë.
Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut për azilkërkuesit, por me një diferencë të konsiderueshme. Nëse nga Shqipëria aplikuan për azil 8.845 persona për herë të parë, nga RMV-ja aplikuan 3020. Ndërsa, vendi me numrin më të ulët të azilkërkuesve në rajon është Mali i Zi, me 250 azilkërkues.
Vendi ku Shqiptarët kanë kërkuar më shumë azil është Franca, ndërsa vendi me azilkërkuesit më të shumtë minorenë është Belgjika, ku aplikuan 20 minorenë.
Në total, 55 minorenë kanë aplikuar për azil në BE nga Shqipëria, dhe 25 nga Kosova.