“Shqipëria ka qenë gjithmonë në krah të Bosnje dhe Hercegovinës”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se së gjatë bisedimeve me Kryesuesin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, kanë rënë dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen me një ritëm të ri

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë pas ceremonisë zyrtare të pritjes, së bashku me presidenti shqiptar, Ilir Meta, u adresuan në një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency(AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë konferencës për mediat tha se së gjatë bisedimeve kanë rënë dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen me një ritëm të ri.

“Gjatë takimit shumë të përzemërt dhe vëllazëror që patëm diskutuam për të gjitha çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar. Ndër to, dëshiroj të ndalem në disa prej çështje kyçe. Ramë dakord që marrëdhëniet të forcohen me një ritëm të ri, në mënyrë që të bashkojmë përpjekjet jo vetëm midis dy vendeve, por mundësisht me vendet e tjera të rajonit, që t’u japim të rinjve tanë një perspektivë më të shpejtë, më të prekshme evropianë, në mënyrë që të dekurajojmë largimin e tyre nga vendet tona”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta tha se “dialogu shumë i mirë politik që kanë patur në nivel presidencial beson se do të nxitet edhe në të gjithë nivelet e tjera që t’i përgjigjemi realisht dhe konkretisht vullnetit dhe respektit reciprok që kanë dy popujt dhe njerëzit tanë për njëri-tjetrin”.

“Në mënyrë të veçantë të rrisim shkëmbimet ekonomike dhe tregtare si dhe të bashkojmë përpjekjet midis dy vendeve, por edhe me Malin e Zi dhe vendet e tjera për të përmirësuar infrastrukturën ndërlidhëse si një përparësi e jashtëzakonshme”, tha Meta.

Sipas Metës, nënshkrimi i pritshëm i marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe për njohjen e lejeve të drejtimit midis dy vendeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë drejtim.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë në krah të Bosnje dhe Hercegovinës dhe do të vijojë të mbështesë fuqimisht sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social dhe përparimin e saj në proceset evropiane dhe euroatlantike, veçanërisht tani në vigjilje të 25 vjetorit të marrëveshjes së Dejtonit. Shpreh bindjen dhe dëshirën tonë që zbatimi i i plotë i Dejtonit të konsolidojë akoma më tej bashkëjetesën ndëretnike në Bosnje, por edhe në të gjithë rajonin tonë, sepse bashkëjetesa ndëretnike e Bosnjë Hercegovinës është kyçe për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit tonë. E inkurajova presidentin Xhaferoviç që të vijojnë përpjekjet për zgjidhje pragmatiste për njohjen e dokumenteve dhe lehtësimin e regjimit të vizave për shtetasit nga Kosova”, u shpreh Meta.

Ndërkaq, Xhaferoviç tha se Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina janë të lidhura ndërmjet marrëdhënieve të mira dhe miqësore dhe që nuk kanë çështje të hapura.

“Ne duhet të fuqizojmë sa më shumë këtë bashkëpunim. Ne jemi të lidhur me aspiratat tona të përbashkëta euroatlantike. Por Gjithashtu jemi të lidhur për të zhvilluar rajonin ku ne jetojmë, sepse ne jetojmë në rajon që quhet Ballkani Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona janë shumë miqësore dhe ato nuk kanë çështje të hapura, por gjithashtu mund të bëjmë më mirë, mund ta përmirësojmë këtë më tej. Unë besoj që nuk kemi përdorur të gjitha mundësitë për të rritur bashkëpunimin bilateral, veçanërisht kur ne flasim për aspekte ekonomike”, tha Xhaferoviç.

Sipas tij, Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës para disa ditësh mor vendimin për të hapur një ambasadë të Bosnjë Hercegovinës në Tiranë. Ai shprehu bindje se ky akt do të ndihmojë dhe do të përmirësojë aspektin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe tha se presin që Shqipëria të bëjë të njëjtën gjë për çështjen e ambasadës shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Integrimi euroatlantik i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është diçka që duhet të vijë gjithashtu në vend të parë për Bosnjë dhe Hercegovinën. Ne presim që në vitet e ardhshme të marrim statusin e vendit kandidat. Bosnjë dhe Hercegovina mbështet dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dialog i cili zhvillohet në Washington dhe në Bruksel. Ne dëshirojmë që të kemi një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme, Bosnje dhe Hercegovina mbështet të gjitha iniciativat rajonale të cilat respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi. Ne gjithashtu mbështesim lëvizjen e lirë të mallrave, të qytetarëve, investimeve kapitaleve në të gjithë rajonin dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi më tej Xhaferoviç.

Ai tha më tej se “Ajo çfarë ka Bosnje dhe Hercegovina sot për atë që ka të bëjë për marrëdhëniet me Kosovën, është diçka që është e papranueshme, sepse ne kemi regjimin më të ngurtë që ka të bëjë me lëvizjen e njerëzve, pra nga Bosnjë dhe Hercegovina në Kosovë dhe nga Kosova në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne dëshirojmë që ta përmirësojmë këtë që njerëzit të komunikojnë në mënyrë normale dhe të shikojnë shkëmbimin e mallrave që të ndodhë, në mënyrën më të thjeshtë dhe të dobishme për të gjithë ne”.

Xhaferoviç është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama dhe gjatë ditës do të takohet me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, së bashku me presidentin Meta, do të vizitojnë edhe fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut, ku jeton një pjesë e komunitetit boshnjak në Shqipëri.