Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik

Dy ministrat nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror

 Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi. Gjatë takimit Xhafaj dhe Gashi diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë thuhet se dy ministrat nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror. Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve.

Theksohet se gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.

Ministri Xhafaj tha pas takimit se midis dy Ministrive dhe dy Policive do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intensiv në interes të dy popujve.

“Gjatë takimit diskutuam një sërë temash të rëndësishme ndërmjet nesh, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin më mirë të kufijve formalë, por edhe të nevojës për të pasur një marrëdhënie më të mirë në tërësi dhe në mënyrë të veçantë në periudha të rëndësishme, siç është sezoni turistik, marrëdhëniet në forcimin e bashkëpunimit shumë të mirë që kemi ndërmjet dy Akademive, dhe një sërë projektesh të përbashkëta. U dakorduam për të pasur një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në muajt në vijim”, deklaroi Xhafaj, thuhet në njoftim.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Gashi, ka theksuar se në interes të diskutimit ishte sfida për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Gashi zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.