Shqipëri, studentët protestojnë për uljen e tarifave të studimeve

Studentët kërkojnë nga Qeveria e Shqipërisë përgjysmimin e të gjitha tarifave studimore, rritjen e buxhetit për universitetet publike si dhe themelimin e një enti botues publik që boton libra universitarë me çmim të lirë

Qindra studentë të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera publike marshuan ditën e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke protestuar për uljen e tarifave të studimit si dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e mbajtur nga organizatat që mbrojnë të drejtat e studentëve, pjesë e së cilës ishin edhe pedagogë, u kërkua nga Qeveria e Shqipërisë përgjysmimin e të gjitha tarifave studimore, rritjen e buxhetit për universitetet publike si dhe themelimin e një enti botues publik që boton libra universitarë me çmim të lirë.

Studentët e nisën protestën e tyre nga korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe më pas vijuan marshimin e tyre në drejtim të selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrime të ndryshme si: “Nuk kam para, por dua të arsimohem”, “Jam student, jo statistikë”, “Ulni tarifat-Rritni buxhetin”, etj.

Protesta ka për qëllim ndryshimet në ligjin për “Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor” të miratuar disa vite më parë.

Studentët që kanë folur gjatë protestës janë shprehur se qëllimi i organizimit të saj është për të mbrojtur të drejtat e tyre, për një universitet më të mirë e demokratik, sipas tyre, ku studimet kushtëzohen vetëm nga merita.