Shqipëri, mbahet samiti kombëtar për të rinjtë

Samiti kishte temë kryesore perspektivat e reja për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve në Shqipëri, duke mbledhur së bashku mbi 150 të rinj nga të 12 qarqet e vendit

Me rastin e Javës Rinore Evropiane është zhvilluar sot në Tiranë Samiti i parë Kombëtar i të Rinjve me temë: “Perspektiva të reja për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve”, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në hapjen e aktivitetit i cili u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, deputetë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, Hysi tha se ky samit i parë në nivel kombëtar do t’i japë frymëmarrje të re të rinjve dhe organizatave rinore. “Shoqëria jonë ka nevojë për shumë dialog dhe ne kemi dialog mes të rinjve dhe të rejave, qeverisë dhe institucioneve, por edhe të organizatave të shoqërisë civile. Është i domosdoshëm dialogu për gjetjen e zgjidhjeve praktike që adresojnë sfidat me të cilat ju përballeni në jetën e përditshme”, u shpreh Hysi.

Sipas Hysit dialogu dhe bashkëpunimi ka rëndësi edhe për Kuvendin e Shqipërisë. “Ne jemi votuar për t’u përfaqësuar dhe përfaqësuar me dinjitet dhe për të qenë zëri juaj. Ne kemi funksion të hartojmë ligje të mira, në mënyrë të veçantë ligjet që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën, mirëqenien dhe perspektiven e të rinjve”, u shpreh Hysi.

Ndërsa ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, theksoi se ministria që ajo drejton ka ndërmarrë një sërë programesh në lidhje me të rinjtë.

“Rinia jonë është vërtetë afër Evropës dhe është Evropë në botëkuptim, në formim dhe në dëshira. Ne shikojmë tek ju dhe tek mënyra juaj e ndërveprimit me problematikat e përditshme një vitalitet dhe energji e cila duhet mbështetur, duhet adresuar dhe i duhet dhënë forca e duhur për të gjetur kanalin e duhur për të shkëlqyer akoma më shumë”, tha Margariti.

Samiti kishte temë kryesore perspektivat e reja për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve në Shqipëri, duke mbledhur së bashku mbi 150 të rinj nga të 12 qarqet e vendit, përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të organizatave të OKB-së de ambasadave në vend.

Samiti një ditor është organizuar nën kujdesin e Rrjetit Kombëtar të të Rinjve në Shqipëri (ANYN) dhe me mbështetje e disa institucioneve të Shqipërisë, ndërsa qëllimi i tij ishte të angazhojë në dialog të rinjtë, institucionet e pushteti qendror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe agjencitë e ndryshme të zhvillimit në Shqipëri për gjetjen e zgjidhjeve praktike që përmirësojnë adresimin e sfidave që kanë të rinjtë në Shqipëri.