Shkup, protesta kundër vendimit të gjykatës për dënimin e Abdulfetah Alimit

Protestuesit brohorisnin parulla të ndryshme të tilla si “Pa drejtësi nuk ka liri”, “Të shpëtosh njeri nuk je terrorist”, “Liri për Feta Alimin”

Qindra protestues kanë marshuar në Shkup duke kërkuar anulimin e vendimit të gjykatës për Abdulfetah Alimin, i cili u dënua me 7 vjet heqje lirie për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Më 15 mars, gjykata shpalli fajtor Abdulfetah Alimi, i punësuari si sigurim në Kuvend, si dhe 15 të akuzuar tjerë për ngjarjet e 27 prillit. Të dënuarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues”.

Protesta filloi nga sheshi “Skënderbeu” në Çarshinë e Shkupit, ndërsa protestuesit marshuan drejt ndërtesës së gjykatës prej nga një javë më parë u shpall vendimi për Alimin. Protestuesit brohorisnin parulla të ndryshme të tilla si “Pa drejtësi nuk ka liri”, “Të shpëtosh njeri nuk je terrorist”, “Liri për Feta Alimin”.

Në emër të këshillit iniciues për protestën, të pranishmëve iu drejtua Aide Jashari, familjare e Abdulfetah Alimit. Ajo tha se familjarët dhe protestuesit po kërkojnë drejtësi, e jo mëshirë.

“Pikërisht në momentin kur ne prisnin që Fetahu të dekorohet dhe shpërblehet për aktin e tij heroik që bëri më 27 prill, duke iu dalë në mbrojtje deputetëve të Kuvendit, ai u dënua dhe u trajtua i barabartë me dhunuesit që deshën të vrasin deputetët. Kjo është shumë dëshpëruese dhe paradoksale për faktin se u amnistuan fajtorët e vërtetë”, tha Jashari.

Ajo gjithashtu tha se kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, por vetëm, siç tha ajo, “si një rast i radhës i montuar politikisht që po ju bëhet shqiptarëve”.

Burim Alimi, i biri i Abdulfetah Alimit, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestë, duke theksuar se kërkon vetëm drejtësi për babanë e tij.

“Jemi në vitin 2019 dhe ende neve si shqiptarë po na bëhen të gjitha këto raste të montuara”, tha Alimi.

Familjarët tjerë të Abdulfetah Alimit porositën se do të vazhdojnë të protestojnë deri në lirimin e tij. Bashkëshortja e Alimit, Nurije Alimi, i bëri apel kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, që të angazhohet personalisht në zbardhjen e plotë të rastit.

Gjatë protestave gjithashtu u tha se nëse është nevoja, drejtësia për këtë rast do të kërkohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Protesta ishte e qetë dhe nuk u shënuan incidente, ndërsa pas përfundimit të saj, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik, si pasojë e së cilës mbetën të lënduar rreth 100 persona.

Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetëra persona, por u miratua edhe një Ligj për Amnisti, me të cilin 15 persona u amnistuan dhe procedura kundër tyre u ndërpre.

Alimi u dënua nën dyshimin se u ka dorëzuar çelësat e derës së Kuvendit nga ku protestuesit u futën brenda godinës. Alimi po ashtu largoi nga turma dhe ndihmoi deputetin, Ziadin Sela, i cili ishte personi që pësoi më shumë nga protestuesit e dhunshëm.