Shkup, program përkujtimor për 4 anëtarët e ekzekutuar të lëvizjes Juxhel

“Nëse nuk do të ndodhte ky ekzekutim, ndoshta turqit në Maqedoninë e Veriut do të ishin në një pozitë shumë më ndryshe në aspektin e popullsisë dhe ndikimit”, tha Emin

Me rastin e 71-vjetorit të ekzekutimit të katër anëtarëve të lëvizjes Juxhel nga ana e regjimit komunist në ish-Jugosllavi, në Shkup është mbajtur një program përkujtimor nën mbikëqyrjen e Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB) dhe në organizim të Shoqataës Köprü, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky program u ndoq nga ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, anëtari i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, kryetari i MATÜSITEB-it, Hüsrev Emin, si dhe nga përfaqësues të institucioneve lokale dhe organizatave turke në vend.

Në kuadër të programit u lexuan pjesë të Kur’anit dhe u shfaq një film i shkurtër në lidhje me Lëvizjen Juxhel.

Kreu i MATÜSITEB-it, në fjalën e tij para të pranishmëve iu referua rëndësisë së lëvizjes Juxhel dhe paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të organizojnë aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim përcjelljen e rëndësisë së kësaj lëvizjeje dhe anëtarëve të saj për brezat e ardhshëm.

“Nëse nuk mundemi t’i kuptojmë mirë anëtarët e lëvizjes Juxhel, atëherë nuk mund ta kuptojmë mirë edhe situatën në të cilën ndodhemi sot. Sepse, nëse nuk do të ndodhte ky ekzekutim, ndoshta turqit në Maqedoninë e Veriut do të ishin në një pozitë shumë më ndryshe nga aspekti i popullsisë dhe ndikimit”, tha Emin.

“Në vitet 1950-1960 nga vendi u detyruan të emigrojnë rreth 300 mijë turq”

Nga ana tjetër, Murat tha se në vitet 1950-1960 nga vendi janë detyruar të emigrojnë rreth 300 mijë turq. Ai theksoi se anëtarët e lëvizjes Juxhel paguan çmimin me jetën e tyre dhe pronësinë e turqve.

“Anëtarët e lëvizjes Juxhel janë trashëgimi autentike e pranisë turke në Maqedoninë e Veriut. Për fat të keq, ne për vite nuk arritëm ta ndajmë këtë trashëgimi. Shteti osman ishte shteti Rumelisë. Përjetoi kulmin dhe dhimbjen më të madhe në Rumeli. Lëvizja Juxhel është kulmi i kësaj dhimbje”, tha Murat.

Ndërkaq, profesor në Universitetin e Tetovës, Süleyman Baki, në fjalën e tij i vlerësoi lartë anëtarët e lëvizjes Juxhel dhe para të pranishmëve ndau informacione në lidhje me këtë lëvizje dhe anëtarëve të saj.

Baki theksoi se ky program ka një rëndësi të madhe për kujtimin e katër të ekzekutuarve, por edhe nga aspekti i të kuptuarit të luftës së lëvizjes Juxhel për turqit e Maqedonisë së Veriut.

“Lëvizja Juxhel është një luftë e komunitetit turk, intelektualve turk dhe muslimanëve të asaj periudhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo është një luftë kombëtare, shpirtërore, fetare, politike e morale”, theksoi Baki.

Sipas tij, institucionet që e themeluan këtë lëvizje janë institucione që kanë lënë një shenjë në histori.

“Themelimi i gazetës Birlik, ajo që luajti një rol në formimin e teatrit turk dhe në shfaqjet e këtij teatri, përgatitja e shfaqjeve teatrore, edukimi i stafit mësimdhënës në Tefeyyüz, dëshmojnë praninë e turqve në Maqedoninë e Veriut nga aspekti politik, ekonomik, kulturor e social. Edhe pse kanë kaluar 71 vjet, ky mendim i krijuar nga Lëvizja Juxhel i mban në këmbë turqit në Maqedoninë e Veriut”, shtoi Baki.

Juxhelët

Turq muslimanë që jetonin në Maqedoni, në vitin 1937 filluan të mblidhen për t’i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat kombëtare dhe shpirtërore, si dhe adetet dhe traditat.

Në vitin 1945, organizata mori emrin “Juxhel”, ndërsa detyrën e kryetarit e mori Shuajb Aziz Efendiu, i cili mësimet i kishte marrë në Medresenë e Ataullah Efendiut në Shkup, ndërsa më pas në Universitetin El Ezher në Egjipt në degën e fikhut, kelamit, tasavvufit dhe filozofisë perëndimore.

Me përpjekjet për shuarjen e të gjitha organizatave nacionaliste në Jugosllavi, në vitin 1947 filloi procesi i gjykimit për 16 persona të cilët paraprakisht u arrestuan. Më 25 janar të vitit 1948, gjykata vendosi për ekzekutimin e tyre, kurse më 27 shkurt të po të njëjtit vit me pushkatim u ekzekutuan Shuajb Aziz, Adem Ali, Ali Abdurrahman dhe Nazmi Omer. Ndërkaq, të tjerët u ndëshkuan me dënime të rënda me burgim.