Shkup, organizohet manifestimi “Ditët e Kulturës së Ankarasë”

Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Aleancës së Kulturave të Ballkanit (BAKIDER) me mbështetje të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Shoqërisë Civile pranë Ministrisë së Brendshme të Turqisë

Dje në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u organizua manifestimi kulturor “Ditët e Kulturës së Ankarasë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata e Aleancës së Kulturave të Ballkanit (BAKIDER) me mbështetje të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Shoqërisë Civile pranë Ministrisë së Brendshme të Turqisë, morën pjesë atasheu i Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, Murat Alkan, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave në vend, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Në kuadër të aktivitetit u realizua prezantim mbi shoqatën BAKIDER, biseda mbi Historinë dhe Kulturën e Përbashkët dhe prezantim mbi Shoqatën e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MÜSİAD).

Në stendat e ngritura si pjesë e programit, u shfaqën punime të qelqit, argjilës, artit Ebru dhe shigjetarisë.

Në stenda u shpalosën informacione në lidhje me punën e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, Fondacionit Maarif, MÜSİAD-it, Universitetit të Karabük-ut, Universitetit Yıldırım Beyazıt nga Ankaraja, ndërsa u promovua edhe libri “Turqia nga Qielli” në të cilën gjenden fotografi të shkrepura me dronë anembanë Turqisë nga fotoreporterët e AA-së.

Kryetari i BAKIDER, Emin Bajriç, tha për AA se synimi i projektit është platforma që do ta krijojnë së bashku me organizatat joqeveritare në rajon.

Ai tha se nga rreth 20 organizata nga katër vende janë të regjistruara në këtë platformë.

“Ashtu siç kemi jetuar me shekuj së bashku, ashtu siç gjyshërit tanë kanë ndërtuar ura mes zemrave, ashtu edhe ne vazhdojmë në rrugën e tyre”, theksoi Bajriç.

Ai tha se me këtë aktivitet që kanë organizuar po ashtu kanë për qëllim t’i afrojnë me njëri-tjetrin popujt e Ballkanit dhe popujt e Turqisë.

Në kuadër të programit u organizua edhe një mini-koncert.

Pas prezantimeve, mes BAKIDER dhe organizatave lokale të shoqërisë civile u themelua “Platforma e Vëllazërisë, Unitetit dhe Zhvillimet e OJQ-ve Rinore Ndërkombëtare”.

Përveç Maqedonisë së Veriut, Ditët e Kulturës së Ankarasë do të organizohen edhe në Podgoricë të Malit të Zi, Beograd të Serbisë dhe Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës.