Sherri bandave shqiptare në Belgjikë, 1 grua e vdekur dhe 4 të plagosur

Një sherr mes bandave shqiptare ka shkaktuar një të vdekur dhe katër të plagosur. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30 në komunën Ans të Belgjikës. Sipas mediave belge, dy banda rivale shqiptare u përfshinë në një sherr masiv mes tyre.

Sipas mediave belge, dëshmitarët e kanë cilësuar si një skenë lufte.

Në konflikt u përdorën thika, shkopinj bejsbolli, shufra hekuri dhe sende të tjera të forta. Një grua 43-vjeçare humbi jetën duke u përpjekur të ndihmonte mikun e saj që kishte pësuar lëndime nga goditjet.

Ajo u përplas nga një automjet. 43-vjeçarja u dërgua në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Identiteti i saj nuk është bërë i ditur. Katër persona të tjerë janë plagosur rëndë, tha ditën e sotme zyra e prokurorit belg.

“Menduam se ishte një aksident”, ka thënë një dëshmitar në vendngjarje.

Bandat shqiptare kanë përplasur makinat me njëri-tjetrin dhe kanë hipur në trotuar duke aksidentuar njerëzit që po ecnin aty.

Personat e plagosur janë transportuar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Disa nga personat që kanë marrë pjesë në sherr janë identifikuar por ende asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Policia po heton për ngjarjen dhe kapjen e autorëve.

Disa prej personave të përfshirë në konflikt janë identifikuar nga policia, por deri tani asnjë prej tyre nuk është arrestuar apo shoqëruar. Hetimi është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë të dyshuarit, ndërsa po punohet edhe për të zbardhur motivet.