Shënohet viktima e dytë nga zjarret në Shqipëri, ende disa vatra aktive

Në Shqipëri ka ndërruar jetë edhe një person tjetër që u plagos disa ditë më parë si pasojë e zjarreve që përfshinë jugun e vendit, duke e rritur numrin e të vdekurve si pasojë e zjarreve në 2, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bashkëshorti i viktimës së fundit humbi jetën më 3 gusht pas zjarrit që përfshiu fshatin ku ai banonte në Qarkun e Gjirokastrës. Viktima e dytë është konfirmuar në një reagim në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në njoftimin e fundit të saj ka konfirmuar se në të gjithë vendin mbeten aktive 9 vatra zjarri, në qarqet Kukës, Lezhë, Korçë dhe Berat.

Sipas ministrisë, në operacionet e deritanishme janë angazhuar rreth 3 mijë efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, rreth 150 mjete të ushtrisë, rreth 300 forca policore, rreth 1800 forca zjarrfikëse, mbi 1 mijë punonjës bashkiakë, mbi 300 punonjës të shërbimit pyjor dhe qindra vullnetarë.

Ndërkohë konfirmohet se janë shuar deri tani 175 vatra zjarri pas 2 javësh operacionesh në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Përveç angazhimit të forcave të Shqipërisë dhe atyre nga Kosova, për shuarjen e zjarreve u përfshinë në operacione edhe disa helikopterë të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE).