Shëngjin, gjendet një jaht i braktisur

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë në një njoftim ka konfirmuar se rreth 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit në Detin Adriatik, është konstatuar një mjet lundrues tip jaht me mbishkrim "Atik Beu"

Policia e Shqipërisë ka gjetur një jaht që dyshohet se i përket një shtetasi turk, i braktisur në ujërat e Detit Adriatik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë në një njoftim ka konfirmuar se rreth 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit në Detin Adriatik, është konstatuar një mjet lundrues tip jaht me mbishkrim “Atik Beu”.

“Policia Kufitare e Shëngjinit në bashkëpunim me forcat policore të stacionit Shëngjin dhe Kapitenerinë, transportuan këtë mjet për në Portin e Shëngjinit ku aktualisht ndodhet i bllokuar. Nga kontrolli i mjetit nuk është konstatuar asnjë person dhe asgjë e kundraligjshme brenda tij, përveçse disa dokumente me identitet S.Y., 31 vjeç, banues në Turqi, i cili dyshohet si pronari i tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej theksohet se në bashkëpunim me Interpol Tirana po vijojnë verifikimet nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e ngjarjes.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë për jahtin e braktisur dhe itinerarin që ka ndjekur.Image may contain: sky, ocean, cloud, boat, mountain, outdoor, water and nature