Shembet ura në Lushnje. Incidenti, para godinës së Hipotekës

Një rrëshqitje dheu poshtë urës, në lagjen “Kadri Qystri” të Lushnjes, ka bërë që ura të shembet plotësisht.

Një rrëshqitje dheu poshtë urës, në lagjen “Kadri Qystri” të Lushnjes, ka bërë që ura të shembet plotësisht.

Prej dy ditësh, kjo rrugë është bërë e pakalueshme, pasi ura është shembur në të gjithë gjatësinë e saj.

Shkak për shembjen e saj është bërë gërryerja nga një përrua, i cili kalon përmes kësaj lagjeje. Por, veç përroit, shkaktar për shembjen janë edhe kalbja e hekurave të vendosur nëntokë, si dhe amortizimi i rrjetit të ujërave të zeza e të bardha, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në gërryerjen e tokës.

Bashkia e Lushnjes, ndërkohë, ka nisur menjëherë ndërhyrjen për riparimin e saj.

Rrezik nga gërryerja e përroit ka edhe godina e Hipotekës së Lushnjes. Në oborrin e Hipotekës, prej kohësh është hapur një gropë e madhe, e cila çdo ditë vazhdon të zmadhohet si pasojë e gërryerjes nga përroi.

Ndërsa banorët thonë se, problem është era e rëndë që ka ky përrua, pasi në të kalojnë edhe ujërat e zeza, duke shkaktuar ndotje të madhe./TCh