SHBA paralajmëron Vuçiç: Kujdes me Kosovën, po punon kundër paqes

Deklarata e Aleksandër Vuçiç që kërcënoi Kosovën me luftë hasi ne reagimin e forte te të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për ta ruajtur stabilitetin, ka një që nuk po punon për këtë por po dërgon mesazhe për Kosovën”, tha ai.

Escobar foli edhe për ndikimin malinj të Rusisë në Ballkan, pas takimit që pati me presidentin malazez, Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.

“Ndikimi malinj rus në rajon është shumë serioz. Pas pushtimit të Ukrainës, u bë e qartë se sa e rëndësishme është NATO-ja. Mali i Zi kontribuon si një partner i mirë, prandaj mund të pritet që të bëhet anëtari i ri i BE-së”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të dielën kërcënoi me luftë, në praninë e disa fëmijëve serbë nga Kosova të cilët kishin shkuar për vizitë në Beograd.

Në një ceremoni në të cilën u kujtuan trazirat e marsit të vitit 2004 në Kosovë, Vuçiç foli ashpër kundër Perëndimit, duke kërkuar në njëfarë mënyre që ata të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, tha se në Beograd po e presin momentin për të luftuar.

“Nuk është problem, doni të jeni me ata, nuk do të na keni neve, doni të jeni me ta dhe t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë, por jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të mençur e trima dhe mjaft shumë kemi mësuar dhe shumë përvoja kemi fituar pas gjithë atyre që na keni bërë në 25 vitet e fundit, për ta pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe të luftojmë për rastin tonë”, tha ai.

“Nuk kemi pse t’ia fshehim askujt. Do të jemi gjithmonë të hapur për partneritet, bisedime, dialog, por duhet ta kuptoni mirë, i keni bërë shumë të këqija popullit serb të gjithë së bashku”, tha Vuçiç.

Ai e përmendi Banjskën, fshatin në Zveçan të Kosovës ku më 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Vuçiç e konsideroi heroik vendin e sulmit, autorët e të cilit ndërkombëtarët presin që Serbia t’i vë para përgjegjësisë.

“Banjska ndodhi sepse po i vrisnin njerëzit tanë në Kosovë”, tha presidenti serb, duke sfiduar kështu perëndimin që i kërkon të dënojë autorët e Banjskës.