“SHBA ka mjete për të bindur Kosovën e Serbinë”, çfarë zbulon senatori demokrat

Drejtues i senatorëve demokratë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara Ben Cardin foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për situatën në Ballkan, ndër të tjera edhe për situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se SHBA ka mjete në dispozicion për t’i bindur dy vendet të arrijnë një marrëveshje duke treguar se Shtetet e Bashkuara ruajnë një mbështetje shumë të fortë për pavarësinë e Kosovës

“Si Serbia, ashtu edhe Kosova, kanë një mundësi unikale për të zgjidhur dallimet historike që kanë pasur. Dy vende mund të jetojnë në paqe krah për krah, duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të tyre, përfshirë pakicat kombëtare që ndodhen në vendin tjetër. Por, të dyja palët duhet të ndalin provokimet dhe shkaktimin e sfidave që e bëjnë më të vështirë për ne arritjen e këtij objektivi. E kemi parë këtë problem në pjesën veriore të Kosovës. Është shumë e qartë që qeveria duhet t’i parandalojë këto lloje veprimesh provokative. Zgjedhjet e fundit treguan një mospërfillje për serbët që gjenden në Kosovë dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë Kosova. E kemi parë kaq shumë herë në Serbi; udhëheqësit e tyre e bëjnë shumë të vështirë njohjen e legjitimitetit të Kosovës, duke sfiduar pjesëmarrjen e saj në organizatat ndërkombëtare. Kemi parë veprime agresive të ndërmarra nga Serbia kundër pavarësisë së Kosovës. Të dyja palët duhet ta ndalin këtë lloj sjelljeje dhe të krijojnë një klimë në të mirë të njohjes së plotë nga të dyja vendet të pavarësisë dhe sovranitetit të fqinjëve të tyre. Dhe kur të realizohet, kjo duhet të ndodhë paralelisht me mbrojtjen e pakicave kombëtare që janë në atë vend”, tha senatori amerikan.