Sekuestrohen 900 gramë kokainë në zonën e Plazhit, në pranga 4 shtetas

Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike.

Policia e Durrësit ka arrestuar katër persona dhe ka sekuestruar një sasi prej 900 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Burime nga policia e qytetit bregdetar bën me dije se në kuadër të operacioni të koduar Taksisti janë vënë në pranga shtetasit Armando Gjoka, Agron Baci, Erges Shehi dhe Vilson Mimini.

Policia bën me dije se shtetasi Armando Gjoka me mjetin e tij tip taksi se bashku me shtetasin Agron Baci (pasagjer) kishin ardhur në zonën e Plazhit për të blerë një sasi lënde narkotike tek shtetasit Erges Shehi dhe Vilson Mimini.

“Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit  dhe sapo kanë vënë re prezencën e policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.

Gjatë tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë”, sqaron policia.

Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike.