Kryeministri i Kosovës Abin Kurti ka reaguar sërish ndaj qëndrimit të SHBA për veprimet e tij të pa koordinuara në veri të vendit. Në një intervistë për KTV Kurti tha se situata në të cilën ndodhet Kosova është për shkak të agresivitetit të Serbisë, e cila nuk distancohet as nga Miloshevici, as nga Putini, dhe financon banda që i adhurojnë këta të dy.
Kurti nënvizoi se është zgjedhur nga populli i Kosovës dhe nuk është emëruar nga ndonjë ambasador duke iu referuar kështu ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë.
“Republikën e mban Kushtetuta me ligj dhe institucione. Këtij populli unë duhet t’i dal zot, sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori. Duhet ta kuptoni këtë gjë. Mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi të paragjykojë nëse Kosova do të mund t’i bënte ballë një agresioni të mundshëm nga Serbia, referuar dislokimit te ushtrise ne kufi me Kosoves
“Unë veproj sipas programit tonë qeveritar, ligjit dhe Kushtetutës, nuk mund të bëj parashikime se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për shembull kur ju thatë më herët që nëse sulmon Serbia, forcat tona nuk i bëjnë ballë, nuk e di a është ashtu. Unë nuk do ta kisha paragjykuar. Natyrisht që mirë është të kesh ndihmë”, ka thënë Kurti.
Lidhur me sanksionet e SHBA-së Kurti tha se më shumë e shqetëson milicia fashiste në veri.
“Është shqetësuese (çështja e sanksioneve), është brengosëse, por më shqetësuese dhe më brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë në politikat qeveritarë, në vendimet ekzekutive nuk ke opsione ideale, e shpeshherë as optimale. Pra, vendimet, opsionet ideale janë luks e nganjëherë madje edhe optimale”, ka thënë Kurti.