Rusia do të mbyllë kufirin me Kinën për shkak të koronavirusit

Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë me shkrim njoftoi se për shkak të epidemisë përkohësisht do të ndërpresë dhënien e vizave elektronike për shtetasit kinezë

Rusia vendosi që të mbyllë kufirin me Kinën si dhe ndërprerjen e dhënies së vizave elektronike për shtetasit kinezë për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, në mbledhjen e kabinetit në Moskë, vlerësoi masat që do të merren për shkak të koronavirusit të ri.

Ai theksoi se është e nevojshme që të mbyllet kufiri i Rusisë me Kinën për të parandaluar përhapjen e virusit. “Udhëzimi në lidhje me këtë u nënshkrua sot dhe filluan punimet. Qeveria do të vazhdojë të hedh hapat në lidhje me marrjen e hapave shtesë”, tha ai.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë me shkrim njoftoi se për shkak të epidemisë përkohësisht do të ndërpresë dhënien e vizave elektronike për shtetasit kinezë.

Disa kompani ruse më parë kishin kufizuar fluturimet dhe udhëtimet me tren në drejtim të Kinës.

Koronavirusi deri më tani ka marrë jetën e të paktën 170 personave në Kinë ndërsa mbi 7.000 janë infektuar. Po ashtu më shumë se 60 mijë njerëz kanë qenë nën vëzhgimin mjekësor.

Që nga shpërthimi i epidemisë në fund të vitit të kaluar, Kina e ka vendosur qytetin Wuhan nën një bllokim në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Përveç Kinës, raste të virusit janë regjistruar edhe në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Vietnam dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën ndërkohë që disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan.

Komiteti i Emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të ritakohet sot për herë të tretë gjatë kësaj jave, për të vlerësuar rreziqet para një emergjence ndërkombëtare.