Rritet numri i të vdekurve nga përmbytjet në Japoni

Zëdhënësja e OBM-së, Clare Nullis, në një konferencë për media nga zyra e OKB-së në Gjenevë tha se numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjes së tokës në Japoni është rritur në 151

Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) njofton se numri personave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjes së tokës të shkaktuara nga reshjet e fuqishme në pjesën perëndimore dhe qendrore të Japonisë është rritur në më shumë se 150, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e OBM-së, Clare Nullis, në një konferencë për media nga zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë tha se numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në Japoni është rritur në 151.

Nullis thotë se rreth 10 mijë shtëpi kanë mbetur nën ujë ose janë shkatërruar, duke shtuar se më shumë se 30 mijë civilë janë evakuuar.

Duke vënë në dukje se Japonia është shteti më i përgatitur në botë kundër përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, Nullis tha se nëse merret parasysh numri i të vdekurve kuptohet më mirë se sa e madhe është fatkeqësia.

Viktimat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës kanë pësuar në rajonet Hiroshima, Ehime, Okayama, Yamaguchi, Kyoto, Gifu, Shiga, Hyogo, Kochi dhe Fukuoka.

Për shkak të fatkeqësisë së përmbytjeve, kryeministri Shizo Abe, ka anuluar vizitat e tij që do të kryente në Evropë dhe Lindjen e Mesme.