Rouhani: Për ne nuk ka rëndësi se kush i fiton zgjedhjet në SHBA

"Për ne të rëndësishme janë politikat dhe mënyrat që do të ndiqen nga qeveria e re që do vendoset në SHBA", tha presidenti iranian, Rouhani

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani ka deklaruar se nuk është e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe se planifikimet nuk i kanë bërë sipas kësaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim pas takimit të kabinetit të ministrave në kryeqytetin Teheran, Rouhani dha deklarata lidhur me zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe problemet ekonomike në vend.

“Për ne të rëndësishme janë politikat dhe mënyrat që do të ndiqen nga qeveria e re që do vendoset në SHBA. Për ne nuk ka rëndësi se kush i fiton zgjedhjet në SHBA. Zgjedhjet e fundit të SHBA-së ishin të shëmtuara nga shumë pikëpamje dhe nuk dua të hyj në detajet e kësaj”, tha Rouhani.

Ai tha se “Nëse SHBA tregon respekt duke lënë mënjanë sanksionet edhe kushtet tona ndryshojnë. Kushtet ndryshojnë nëse tregohet trajtim dhe respekt në vend të kërcënimit. Ajo që ka rëndësi për ne janë veprimi parimor, mënyra dhe politika. Për ne nuk kanë rëndësi individët dhe partitë”.

Rouhani theksoi se dëshirojnë që SHBA t’u përmbahet ligjeve, të kthehet në marrëveshjet ndërkombëtare me shumë drejtime dhe të respektojë popullin e Iranit.

“Pavarësisht se kush ndodhet në SHBA ne duam që të tregojnë respekt në vend të zbatimit të sanksioneve. Në ekonomi kemi bërë planifikime që janë të pavarura se kush fiton në zgjedhjet e SHBA-së. Kemi bërë llogari duke u bazuar në prodhimin dhe eksportin e jashtëm të naftës. Do të ishte mirë nëse SHBA merr mësim nga e kaluara e saj dhe kupton se duhet të ndjekë një rrugë të ndryshme”, tha Rouhani.