Rënie drastike e numrit të kosovarëve në luftërat e huaja

"Vlerësojmë se në tre-katër vitet e fundit në Kosovë është bërë shumë punë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, informimit të qytetarëve dhe familjeve", tha Qehaja

 Numri i shtetasve të Kosovës të cilët shkojnë për të luftuar në Siri dhe Irak ka rënë në mënyrë drastike, pa asnjë rast të raportuar që nga viti 2016, flasin të dhënat e raportit “Mbi shkakun: Rreziqet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, të cilin sot e prezantoi Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Sigurisë në Kosovë, Florian Qehaja, tha se pavarësisht rënies së numrit të të shkuarve në luftërat e huaja, akoma mbesin rreziqet e sigurisë të cilat nuk vijnë vetëm nga individë në Lindjen e Mesme, por edhe nga simpatizuesit e tyre.

Qehaja tha se vlerëson punën e institucioneve kosovare të sigurisë të cilat kanë penguar sulme terroriste, por thekson se puna e tyre është vështirësuar nga shkaku i mungesës së bashkëpunimit në rajon dhe pengesës që ky bashkëpunim hasë nga Serbia.

“Vlerësojmë se në tre-katër vitet e fundit në Kosovë është bërë shumë punë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, informimit të qytetarëve dhe familjeve, për çka tashmë kanë një pasqyrë më të qartë për rreziqet dhe tendencat e rekrutimit të fëmijëve tanë. Nuk duhet të ndihemi komod, megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, qëndrojmë shumë më mirë në raport me vendet e Perëndimit”, tha Qehaja.

Skender Perteshi, në cilësi të autorit të raportit në fjalë tha se kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm, më parë përmes rekrutimit të luftëtarëve të huaj, gradualisht ka kaluar në përhapjen e terrorizmit brenda Kosovës.

Sipas Perteshit, deri më sot nuk është kryer asnjë sulm terrorist por policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës gjatë dy viteve të fundit kanë parandaluar rreth katër sulme të mundshme terroriste, të përgatitura kryesisht nga simpatizantët e DEASH-it.

“Në rastin e Kosovës, një në 25 të kthyer, gjegjësisht, pesë nga 135 të kthyer kanë qenë të përfshirë në organizimin dhe planifikimin e sulmeve”, tha Perteshi.

Informacionet e ofruara nga zyrtarët e Kosovës, flasin se janë vrarë 75 kosovarë, luftëtarë të huaj terroristë ndërsa rreth 190 kosovarë vazhdojnë të qëndrojnë në territoret e DEASH-it.

Që nga viti 2012, rreth 403 persona nga Kosova shkuan në fushëbetejat në Siri dhe Irak, me numrin më të madh të nisjeve gjatë vitit 2013 dhe gjysmës së parë të vitit 2014.

Raporti, i cili analizon tendencat e fundit dhe dinamikën e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në Kosovë është bërë me mbështetjen e Ambasadës holandeze në Kosovë.