Renditja e FIFA-s, Belgjika skuadra më e mirë për vitin 2019!

Ditën e enjte u shpall klasifikimi përfundimtar i FIFA-s për vitin 2019 dhe Belgjika ashtu si edhe sezonin e kaluar u kurorëzua si skuadra përfaqësuese më e mirë e vitit, renditje ku bie në sy gjithashtu edhe progresi i bërë nga kombëtarja italiane, që tani pozicionohet në vendin e 13.

Nën drejtimin e trajnerit Roberto Mancini ekipi “axurr” fitoi 10 nga 10 ndeshjet në dispozicion në ndeshjet në grupe, në fazën eliminatore për kampionatin e ardhshëm evropian dhe për rrjedhojë Italia u përmirësua me plot 5 pozicione, duke u ngjitur nga vendi i 18 në të 13 në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Një përmirësim i dukshëm, duke marrë në konsideratë faktin që gjatë vitit 2018 pas mbetjes jashtë botërorit rus Italia rrëshqiti deri në pozicionin e 21, vend që përfaqëson edhe renditjen më të dobët të skuadrës “axurre” në klasifikimin e FIFA-s, në një kohë kur viti 2016 me pozicionimin në vendin e 16 në renditjen përfundimtare konsiderohej si mbyllja më e dobët në klasifikimin përmbyllës të një viti kalendarik. Që nga klasifikimi përfundimtar i vitit 2018 përmirësimi i përfaqësueses italiane është i dukshëm, e në fakt “të kaltërit” gjatë vitit 2019 kanë grumbulluar plot 68 pikë, duke prekur kuotën e 1.607 pikëve.

Një ecuri e tillë e bën kombëtaren italiane skuadrën përfaqësuese që ka fituar më tepër pikë në Kontinentin e Vjetër. Mbi të gjitha Italia figuron edhe te 10 ekipet që janë përmirësuar më shumë krahasuar me renditjen e përgjithshme të një viti më parë. Përfaqësuesja e drejtuar nga 55-vjecari nga Marche është ende larg skuadrave më të mira në glob, megjithatë aktualisht Italia është ngjitur në vendin e 8, për sa i përket klasifikimit të vendeve evropiane, madje për momentin gjendet vetëm 15 pikë larg Kolumbisë, që është edhe shteti që mbyll renditjen e 10 përfaqësueseve më të mira në planet.

Italia mban vendin e 6 në klasifikimin e skuadrave që janë përmirësuar më shumë gjatë këtij viti. Në këtë lloj renditje spikat Katari, që nën drejtimin e trajnerit spanjoll Felix Sanchez triumfoi në Kupën e Azisë, ecuri që influencoi ndjeshëm në grumbullimin e 138 pikëve, duke u përmirësuar me plot 38 pozicione, nga vendi i 93 në të 55, ndërkaq bie në sy gjithashtu edhe progresi i bërë nga Algjeria, që falë suksesit në Kupën e Kombeve të Afrikës siguroi 135 pikë gjithsej gjatë vitit 2019, duke u katapultuar nga vendi i 67 në të 35.

Më pas vijojnë Japonia me 89 pikë, Meksika me 81 si dhe Iraku me 73 pikë, gjithsesi në Kontinentin e Vjetër spikat pikërisht Kosova, që përfaqëson skuadrën e dytë përfaqësuese që është përmirësuar më shumë, pas natyrisht vetëm Italisë. Kështu skuadra dardane nën drejtimin e veteranit zviceran Bernard Challandes nga pozicioni i 131 është ngjitur në vendin e 115 dhe me 61 pikët e grumbulluara gjatë vitit tani numëron plot 1.174 pikë gjithsej, pra vetëm 49 pikë larg Mauritanisë, që për momentin mbyll edhe 100 vendet e para të renditjes botërore.

Objektivi për ekipin e drejtuar nga Roberto Mancini për vitin e ardhshëm është konfirmimi mes 10 skuadrave përfaqësuese më të mira në Kontinent, për më tepër në një vit sa impenjativ aq edhe të rëndësishëm, duke patur parasysh që në mesin e vitit 2020 do të mbahet gjithashtu edhe faza finale e kampionatit të ardhshëm evropian.

Vlen vërtet shumë përfshirja mes 10 skuadrave më të mira të vitit 2020 për Italinë, sepse do të jenë pikërisht 10 vendet me renditjen më të mirë që do të kalojnë në vazon e parë, për sa i përket shortit që do të mbahet për sfidat kualifikuese të botërorit tjetër, që do të zhvillohet në Katar në vitin 2022 dhe në mënyrë të kuptueshme këtë herë pritet që grupet të jenë shumë më të fortë, pasi direkt kualifikohet vetëm vendi i parë nga çdo grup ndërsa 10 ekipet që do të klasifikohen në vendin e dytë bashkë me 2 ekipe nga Liga e Kombeve do të rivalizojnë më tej, për të nxjerrë vetëm 3 skuadrat e fundit që mbeten nga Konfederata e UEFA-s. Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm botëror Belgjika ia doli ta mbyllë vitin në krye, me 1765 pikë, pra 32 pikë më tepër se sa Franca, ndërsa më pas në renditje me radhë vijojnë respektivisht Brazili, Anglia, Uruguaji, Kroacia, Portugalia, Spanja dhe Argjentina./Supersport