Regjimi i Asadit shkel marrëveshjen e Soçit, vazhdon sulmet në Idlib

Në sulmet e mbrëmshme të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij ka humbur jetën një civil ndërsa, 3 të tjerë janë plagosur

Regjimi i Bashar Al Asadit në Siri dhe grupet e huaja terroriste që mbështesin atë, vazhdojnë sulmet artilerike në Zonën e Deeskalimit të Idlibit pavarësisht marrëveshjes së arritur për mbrojtjen e armëpushimit. Në sulmet e mbrëmshme humbi jetën një civil, ndërsa 3 të tjerë u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupet e huaja terroriste të mbështetura nga regjimi dhe Irani, mbrëmë realizuan mbi 100 sulme artilerike ndaj rajoneve Kefer Hamra dhe Rashidin, të cilat gjenden brenda kufijve të Zonës së Deeskalimit të Idlibit dhe rajonit ku opozitarët në kuadër të marrëveshjes së Soçit i kanë tërhequr armët e tyre të rënda.

Nga ana tjetër Fronti Çlirimtar Kombëtar që gjendet në rajon si kundërpërgjigje realizoi një sulm ndaj njësive ushtarake të regjimit të Asadit në qendrën së Halepit.

Drejtori i Mbrojtjes Civile të Halepit (Helmetat e Bardhë) Amir el Haj, në deklaratën për AA tha se, në sulmet e mbrëmshme të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij ka humbur jetën një civil ndërsa, 3 të tjerë janë plagosur.

Forcat e regjimit pavarësisht marrëveshjes së Soçit të arritur mes Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator, kohë pas kohe janë duke vazhduar sulmet artilerike në pjesën rurale të Latakias, jugun e Idlibit, perëndimin e Halepit si dhe veriun dhe perëndimin e Hama-s.

Opozitarët në përputhje me marrëveshjen më 10 tetor kishin tërhequr armët e rënda nga rajonet e përcaktuara.

– Rriten sulmet para samitit katërpalësh

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë nën mikpritjen e Turqisë do të mblidhen të shtunën në Stamboll për Sirinë. Tërheq vëmendjen se forcat e regjimit kanë intensifikuar sulmet para samitit.