Realizohet fluturimi i parë nga Aeroporti i Stambollit

Avioni me numër fluturimi TK 2124 u ngrit në orën 11:32 sipas kohës lokale (0832GMT) nga aeroporti i ri i Stambollit, i cili do të jetë aeroporti më i madh në botë pas përfundimit të të gjitha fazave

Avioni i Turkish Airlines u ngrit nga Aeroporti i ri i Stambollit drejt kryeqytetit Ankara për të realizuar fluturimin e parë me pasagjerë nga ky aeroport, raporton Anadolu Agency (AA).

Avioni me numër fluturimi TK 2124 u ngrit në orën 11:32 sipas kohës lokale (0832GMT) nga Aeroporti i ri i Stambollit, i cili do të jetë aeroporti më i madh në botë pas përfundimit të të gjitha fazave, për të zbritur në Aeroportin Esenboğa të Ankarasë.

Me hapjen e së hënës, dy pista, të gjata 3.750 dhe 4.100 metra, hynë në shërbim si pjesë e fazës së parë.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Cahit Turan dhe një numër gazetarësh ishin në mesin e pasagjerëve në bord së bashku me udhëtarët e tjerë që mbërritën në aeroport për regjistrim.

Pas përfundimit të katër fazave të saj të parapara me gjithsej gjashtë pista, Aeroporti i Stambollit do të bëhet një qendër globale e aviacionit me më shumë se 100 linja ajrore dhe fluturime në mbi 300 destinacione në mbarë botën.

Faza e parë prej gjastë miliardë eurosh, e cila është ndërtuar për gati tre vjet nëpërmjet një modeli partneriteti publiko-privat, është një nga mega projektet të planifikuara në kuadër të synimeve për vitin 2023 në Turqi.