Ramush Haradinaj: Dardanët nuk kanë nevojë për një minishengen me kryeqytet Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur samitin për Minishengenin Ballkanik që u mbajt një ditë më parë në Tiranë dhe ku Kosova refuzoi të merrte pjesë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur samitin për Minishengenin Ballkanik që u mbajt një ditë më parë në Tiranë dhe ku Kosova refuzoi të merrte pjesë.

Në një prononcim për mediat Haradinaj tha se ‘dardanët’ nuk kanë nevojë për një minishengen që kryeqytet ka Serbinë, ndërsa theksoi se e gjithë ideja e minishengenit është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia, raporton EuroNews.

“Kosova e ka MSA. Ne jemi të interesuar për Bashkimin Evropian, shengenin e lëvizjes së lirë, dardanët nuk kanë nevojë për një shengen me kryeqytet Serbinë. E gjithë kjo bëhet vetëm për  të hequr taksën që Kosove i ka vënë mallrave serbe”, – tha Haradinaj.

Përderisa Kosova nuk njihet nga Serbia dhe mohohet masakra e Reçakut, Haradinaj u shpreh se i mbetet t’iu thotë nismëtarëve të minishengenit, puna e mbarë pa ne.

“Kur të na njohë Serbia ne i hapim dyert për takime bilaterale e trilaterale, po me qëndrime mohuese të Serbisë që nga masakra e Reçakut zgjidhja e vetme që na mbetet është t’u themi udha e mbarë pa ne”, -tha ai.

Haradinaj, rreth takimit që u mbajt në Tiranë tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është vëllai i tij, por deklaroi se nuk ka pasur zgjidhje tjetër pa dal kundër ndarjes së Kosovës.