Rama- studentëve: S’ka minuta për të humbur, unë jam gati dhe nuk kam asnjë kusht

Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga kërkesa për dialog ndaj studentëve. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Rama u kërkon studentëve se duhet nisur adresimi i 8 pikave, pa humbur kohë.

Kryeministri Edi Rama nuk heq dorë nga kërkesa për dialog ndaj studentëve. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Rama u kërkon studentëve se duhet nisur adresimi i 8 pikave, pa humbur kohë.

“8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë VETEM SE BASHKU, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë.

Adresimin e 8 PIKAVE duhet të nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit”.

Kreu i qeverisë shkruan se nuk ka asnjë kusht dhe se është në pritje të njoftimit të tyre.

“Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA”.

Ai shpreh lutje ndaj tyre që të pranojnë takimin me të në mënyrë që të zgjidhin problematikat e krijuara.

Kryeministri Rama thotë se nuk e kupton logjikën e studentëve që kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.

“Një vajzë sapo tha s’duam të lutemi (në fakt lutem unë:-)po duam të na plotësohen 8 pikat pa dialog! Dmth s’duam të bisedojmë për kërkesat tona, po duam të bërtasim deri në plotësimin e tyre!Në cilën familje ecën kjo logjikë?Në familjen tonë të madhe jo njëherë, prandaj DIALOG”, shkruan Kryeministri në Twitter.

Kjo është hera e dytë gjatë ditës së sotme deri më tani që Kryeministri Edi Rama reagon në rrjetet sociale duke kërkuar dialog me studentët, të cilët deri më tani refuzojnë çdo thirrje të tij. /TVKlan