Rama: Do legalizojmë kanabisin mjekësor

Shqipëria do të legalizojë përdorimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

Kështu tha kryeministri Edi Rama të enjten, pas publikimit të rezultateve të Këshillimit Kombëtar sipas të cilave 61 për qind e shqiptarëve të pyetur janë shprehur pro legalizimit të kanabisit për përdorim mjekësor.

Në bazë të të dhënave të sondazhit të nisur nga data 19 janar-31 mars, rreth 309 mijë nga mbi 500 mijë shqiptarë i janë përgjigjur pro pyetjes së shtruar nga qeveria: nëse duhet lejuar kultivimi, përpunimi dhe eksportimi i kontrolluar nga shteti i kanabisit për qëllime mjekësore.

Ndërkohë, 29% e tyre (148,092 qytetarë), mendojnë se kanabisi nuk duhet të legalizohet, teksa 10% (51,051) nuk dinë të gjykojnë për këtë çështje.

Nga të dhënat e zbuluara nga kreu i qeverisë, Edi Rama rezulton se mbi 500 mijë shqiptarë kanë dhënë mendimin e tyre për pyetësorin.