Qeveria e Shqipërisë publikon draftin për “paktin me universitetin”

Qeveria e Shqipërisë ka publikuar draftin për sugjerimet dhe angazhimet që do të ndërmerren për të adresuar kërkesat e studentëve, si dhe problemet e përgjithshme për universitetet publike në vend

 Qeveria e Shqipërisë ka publikuar sot draftin e një “pakti për universitetin”, pas kërkesave të vazhdueshme të studentëve protestues të universitete publike, ku thuhet se kryeministri i vendit, Edi Rama, ka angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për këtë dokument, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në platformën online “Shqipëria që duam” të Qeverisë së Shqipërisë, është publikuar drafti për sugjerimet dhe angazhimet që do të ndërmerren për të adresuar kërkesat e studentëve, si dhe problemet e përgjithshme për universitetet publike në vend.

Sipas draftit, sugjerohet që tarifat e studimeve të paguhen nga Qeveria e Shqipërisë nga 100 për qind deri në 50 për qind me shkallëzim, ndërsa skema e shkallëzimit meritokratik është ende në diskutim.

Në këtë dokument thuhet se të krijohet një faqe online, ku të publikohen të gjitha buxhetet dhe shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë të Republikës së Shqipërisë dhe çdo universiteti publik.

Sipas draftit, transparenca e titujve shkencorë është aktualisht një detyrim ligjor i universitetit, por theksohet se po punohet për një propozim konkret, ku Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë të krijojë një portal të unifikuar, ku të hidhen të gjitha doktoraturat.

Gjithashtu sugjerohet që të miratohet një vendim i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë me shërbimet që do të ofrohen me çmim të reduktuar për studentët, si dhe të fillojë procesi i pajisjes me kartën e studentit dhe të pajisen të gjithë studentët.

Në draft sugjerohet që të nisë vlerësimi i performancës për çdo institucion të arsimit të lart në vend, ndërsa thuhet se të gjitha universitetet në vend do të kenë akses në bibliotekën elektronike universitare, si dhe në databazën kombëtare të doktoraturave.

“Pakti për universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet, bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të dialogut”, theksohet në hyrje të këtij drafti.

Pas protestës së studentëve e cila ka vazhduar edhe sot në Tiranë, kryeministri Rama dje në Tiranë dhe sot në qytetin e Vlorës ka realizuar një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë për të adresuar kërkesat studentëve.

Tetë kërkesat e studentëve janë, përgjysmimi i tarifës së studimit për çdo nivel studimi, transparencë me buxhetin për arsimin, rritja nga 10 për qind në 50 për qind e përfaqësimit të studentëve në bordet drejtuese të universiteteve, rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore, bordi i administrimit të universiteteve të ketë numër të barabartë votash, pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19, ndërtimi i bibliotekave sipas standardeve evropiane, si dhe vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut.

Kujtojmë se protesta e studentëve të universiteteve publike filloi më 5 dhjetor para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa më pas protestuan edhe para selisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrisë së Shqipërisë.