Qeveria e Serbisë shpall ditë zie të mërkurën, për terroristët e vrarë në Kosovë

Qeveria serbe ka shpallur të mërkurën ditë zie kombëtare për vrasjen e katër terroristëve, të cilët sulmuan me armë policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë efektivin Afrim Bunjaku.

Vendimi u mor nga qeveria e Republikës së Serbisë gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të kësaj të marte.

Në njoftimin publik, thuhet shkurt se të gjitha manifestimet publike do të anulohen për të nderuar viktimat në Kosovë.

“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e manifestimeve publike që programin e tyre ta përshtatin të mërkurën, më 27 shtator dhe në këtë mënyrë t’i respektojnë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – “shpalli” tri ditë zie në komunat me shumicë serbe në Kosovë.